Pjesa verilindore e ShBA-së mbulohet nga perdja e tymit prej zjarreve në Kanada - NACIONALE

Pjesa verilindore e ShBA-së mbulohet nga perdja e tymit prej zjarreve në Kanada

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në disa shkolla në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara janë anuluar aktivitetet në mjedis të jashtëm, trafiku ajror është ngadalësuar dhe miliona amerikanëve iu bë thirrje që të qëndronin brenda të mërkurën, pasi tymi nga zjarret në Kanada lëvizi drejt jugut, duke mbuluar qytete me mjegull të dendur e të verdhë.

Shërbimi Kombëtar i Motit në ShBA lëshoi paralajmërime për cilësinë e ajrit për pothuajse tërë bregdetin e Atlantikut. Zyrtarët shëndetësor nga Vermonti deri në Karolinën Jugore e deri në perëndim, në Ohio dhe Kansas, i paralajmëruan banorët se qëndrimi në mjedis të jashtëm mund t’u shkaktojë probleme në organet e frymëmarrjes për shkak të nivelit të lartë të mikro-grimcave në atmosferë, raporton agjencia “Reuters”.

“Është kritike që amerikanët që po përjetojnë ndotje të rrezikshme të ajrit, sidomos ata që kanë probleme shëndetësore, t’i dëgjojnë autoritetet lokale për t’i mbrojtur veten dhe familjet e tyre”- tha presidenti amerikan, Joe Biden.

Shërbimi privat amerikan për parashikimin e motit, “AccuWeather”, tha se mjegulla e dendur dhe bloza, e cila nga lartësia është lëshuar në nivelin e sipërfaqes së tokës e shënon përhapjen më të rëndë të tymit të zjarreve në natyrë në pjesën verilindore të ShBA-së në më shumë se 20 vjet.

“Kjo e bën frymëmarrjen të vështirë. Kam pasur termin për testim për patentë shoferi sot, por u anulua”- tha Mohammed Abass, përderia ecte në Manhattan.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, e quajti situatën “krizë emergjente”, duke thënë se indeksi i ndotjes së ajrit në disa pjesë të këtij shteti është tetë herë më i lartë se niveli normal.

Dukshmëria e kufizuar nga tymi e detyroi Administratën Federale të Aviacionit që ta ngadalësonte trafikun ajror në zonën e qytetit të Nju Jorkut dhe në Filadelfia e në pjesë të tjera të bregdetit lindor, deri në pjesën e sipërme të zonës qendrore perëndimore. Mesatarja e vonesave të fluturimeve ishte rreth gjysmë ore.

Lajme të ngjashme