Dhjetëra zjarre jashtë kontrollit në Kanada, tymi i madh arrin edhe në ShBA - NACIONALE

Dhjetëra zjarre jashtë kontrollit në Kanada, tymi i madh arrin edhe në ShBA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Banorët e qytezës më të madhe në pjesën veriore të Kuebekut të Kanadasë po evakuoheshin të martën, përderisa zjarrfikësit punuan që ta luftonin rrezikun nga zjarret jashtë kontrollit në komunitetet e skajshme në pjesët veriore dhe veriperëndimore të provincës.

Sipas agjencisë për parandalimin e zjarreve në pyje, më shumë se 150 zjarre në male ishin aktive të martën, përfshirë mbi 110 prej tyre që vlerësoheshin si jashtë kontrollit. Zjarret kanë shkaktuar përhapje të tymit edhe në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë qiellit ngjyrë të verdhë e të hirtë e duke nxitur paralajmërime që njerëzit e ndjeshëm të qëndrojnë në mjedis të mbyllur, raporton agjencia “Associated Press”.

Efektet e qindra zjarreve në Kuebek u vërejtën deri në Nju Jork e në Anglinë e Re. Të martën vonë, autoritetet lëshuan urdhër evakuimi për qytezën Chibougamau. Autoritetet thanë se evakuimi ishte duke u zhvilluar dhe premtoi se do të jepen më shumë hollësi të mërkurën.

“Jemi duke e përcjellë tërë këtë nga ora në orë, pa dyshim. Nëse e shikojmë situatën në Kuebek si tërësi, janë disa vende ku gjendja është ende brengosëse”- tha kryeministri rajonal, François Legault.

Ministrja e Burimeve Natyrore e Kuebekut, Maite Blanchette Vezina u tha gazetarëve se numri i personave të evakuuar është pak mbi 8 mijë e 300, më pak se numri prej 10 mijave në fillim të javës, por se rajoni Abitibi mbetet për shqetësim.

“Nuk presim reshje shiu në afat të shkurtër, kjo e bën më të vështirë luftën ndaj zjarreve”- shtoi ajo.

Lajme të ngjashme