Turqia thotë se do ta rishikojë sigurinë e pajisjeve pas shpërthimeve në Liban - NACIONALE

Turqia thotë se do ta rishikojë sigurinë e pajisjeve pas shpërthimeve në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia do t’i rishikojë masat për t’i siguruar pajisjet e komunikimit që përdoren nga forcat e saj të armatosura pas shpërthimeve vdekjeprurëse në Liban, tha të enjten një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Radio-lidhjet që mbahen në dorë dhe që përdoreshin nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen të mërkurën në pjesë të ndryshme në jug të Libanit në ditën më vdekjeprurëse në vend që nga shpërthimi i luftimeve matanë kufirit mes grupit dhe Izraelit para gati një viti, duke nxitur tensione pas shpërthimeve të ngjashme të pejxherëve një ditë më parë, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtari turk, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ushtria e Turqisë përdor ekskluzivisht pajisje të prodhuara brenda vendit, por se Ankaraja ka mekanizma shtesë të kontrollit në fuqi, nëse një palë e tretë përfshihet në prokurim ose prodhim të pajisjeve.

“Qoftë në operacionet që ne i kryejmë, lufta e vazhdueshme në Ukrainë dhe si me shembullin e Libanit, masat rishikohen dhe masa të reja janë duke u zhvilluar si pjesë e mësimeve të marra pas secilit zhvillim” – tha zyrtari turk.

“Në kontekstin e këtij incidenti, ne si Ministri e Mbrojtjes jemi duke i kryer ekzaminimet e nevojshme” – shtoi ai, pa dhënë hollësi të tjera.

Në shpërthimet e së martës, burimet thanë se spiunët izraelitë nga distanca e shpërthyen lëndën që e kishin vendosur në 5 mijë pejxherë para se pajisjet të futeshin në Liban.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve, “Anadolu”, se themelimi i një agjencie të pavarur për siguri kibernetike është në agjendën e Qeverisë dhe se presidenti Rexhep Erdogan e sheh këtë si hap të nevojshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme