Turqia reagon ashpër pas raportit të BE-së: Kritika të padrejta, standard i dyfishtë - NACIONALE

Turqia reagon ashpër pas raportit të BE-së: Kritika të padrejta, standard i dyfishtë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Turqisë ka thënë se raporti vjetor i Komisionit Evropian rreth aplikimit të ngecur për kohë të gjatë të këtij shteti për anëtarësim në BE është “i padrejtë dhe i anshëm”.

Në raportin e publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian kritikohet “kthimi serioz prapa” sa u përket standardeve të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne i refuzojmë kategorikisht pretendimet e pabaza dhe kritikat e padrejta, sidomos sa u përket kritereve politike dhe Kapitullit për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Komisioni Evropian vlerësoi, gjithashtu, se Turqia nuk u është përmbajtur parimeve të sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në luftën e saj kundër korrupsionit.

Ministria turke tha se këto pretendime janë të padrejta dhe e vënë në pah “pasigurinë e qasjes së BE-së dhe një standard të dyfishtë të qartë”, duke shtuar se çështjet e të drejtave themelore janë të diskutueshme edhe mes shteteve anëtare të BE-së.

Qëllimi i raportit të Komisionit Evropian është ofrimi i të dhënave të reja rreth progresit të Turqisë drejt plotësimit të standardeve për anëtarësim në BE dhe mund t’i tensionojë marrëdhëniet edhe ashtu të trazuara rreth migrimit dhe, më rishtazi, për luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Lajme të ngjashme