Komisioni Evropian e rekomandon hapjen e bisedimeve me Ukrainën për anëtarësim në BE
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën se ky institucion ka rekomanduar që Këshilli t’i fillojë bisedimet për anëtarësim me Ukrainën e Moldavinë.
Komisioni gjithashtu e rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE me Bosnjën “porsa të arrihet shkalla e mjaftueshme e pajtueshmërisë me kriterin për anëtarësim”, raporton gazeta “The Guardian”.
Komisioni rekomandon që Këshilli t’ia japë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat me mirëkuptimin që të bëhen reforma të caktuara.
“Ukraina vazhdon që të ballafaqohet me vështirësi dhe tragjedi të jashtëzakonshme, të provokuara nga lufta e agresionit e Rusisë dhe prapëseprapë ukrainasit janë duke e reformuar thellësisht vendin e tyre, edhe pse po luftojnë një luftë që është ekzistenciale për ta”- u tha për shtetin e goditur nga lufta.
Von der Leyen-i tha se Ukraina ka përfunduar “dukshëm mbi” 90 për qind të hapave të nevojshëm, të përvijuar nga Komisioni vitin e kaluar, duke i vënë në pah reformat në drejtësi dhe përpjekjet për ta luftuar korrupsionin.
“Reformat e mbetura tashmë janë rrugës së tyre, kjo është mirë, dhe Komisioni i lavdëron këto përpjekje dhe mbi këtë bazë, ne kemi rekomanduar sot që Këshilli t’i hapë bisedimet për pranim”- shtoi ajo.