“Turqia një zemër”, mblidhen më shumë se 6 miliardë dollarë për të prekurit nga tërmeti - NACIONALE

“Turqia një zemër”, mblidhen më shumë se 6 miliardë dollarë për të prekurit nga tërmeti

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një transmetim maratonë të televizioneve turke, janë mbledhur më shumë se 6 miliardë dollarë për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmeteve shkatërruese që goditën 11 provinca turke duke prekur miliona njerëz.

Kanalet turke ATV, FOX, Kanal D, Kanal 7, Shoë TV, Star TV, TRT 1 dhe TV8 transmetuan të mërkurën drejtpërdrejt fushatën e quajtur "Turkiye Tek Yurek" apo "Turqia një zemër".

Sipas mediave turke nga kjo fushatë janë mbledhur më shumë se 6.1 miliardë dollarë, ndërsa janë dërguar më shumë se nëntë milionë mesazhe dhurimi.

Gjatë fushatës, në një telefonatë të drejtpërdrejtë ka folur edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka njoftuar se çdo qindarkë e mbledhur do të përdoret për mirëqenien e viktimave.

Në këtë transmetim të përbashkët janë mbledhur shumë figuara kryesore të kulturës, artit, biznesit dhe sportit në mënyrë që të mbështesin viktimat e tërmetit, duke kërkuar donacione nga publiku për të ndihmuar agjencinë turke të menaxhimit të fatkeqësive AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke.

Kujtojmë se tërmetet e forta që goditën Turqinë jugore me 6 shkurt, kanë lënë të vrarë mbi 35,400 persona ndërsa mbi 105,500 të tjerë janë të lënduar.

Ndërkohë, sipas shifrave nga Siria, atje janë vrarë të paktën 5,814 njerëz ndërsa janë lënduar mbi 14,749 të tjerë.

Lajme të ngjashme