Turqia ndërpret bisedimet e nivelit të lartë me Greqinë, Erdogan: Mitsotakis nuk ekziston më
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia nuk do të mbajë më bisedime të nivelit të lartë me Greqinë fqinje.
Ankaraja kishte rifilluar negociatat me Athinën vitin e kaluar pas një ndërprerje pesëvjeçare, rreth çështjes së kërkimit të mineraleve në Mesdheun lindor si dhe mbi pretendimet për Detin Egje.
"Ne i ndërpremë takimet e këshillit tonë të nivelit të lartë të strategjisë me Greqinë," tha Erdogan në një takim me zyrtarët e partisë së tij në Ankara, duke shtuar: "A nuk merrni mësim nga historia? Mos u përpiqni të luani me Turqinë.”
Associated Press shkruan se, bisedimet kishin sjellë shumë pak përparim, megjithatë ishin një mjet ku të dyja palët mund të shprehnin ankesat e tyre pa pasur përplasje të armatosur siç kishte ndodhur dy vite më parë.
Erdogani fillimisht e akuzoi liderin grek se po përpiqet të bllokojë blerjen e avionëve F-16 nga Turqia, e më pas u shpreh se “Mitsotakis nuk ekziston më.”
Presidenti turk gjithashtu komenti kundërshtimin e tij për anëtarësimin e Suedisë e Finlandës në NATO.
Ai u shpreh se: “NATO është një organizatë sigurie, jo një organizatë mbështetëse për organizatat terroriste”, duke shtuar se Turqia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për këtë çështje pa parë dokumente që tregojnë një qasje të ashpër të vendeve nordike ndaj atyre që Turqia i konsideron terroristë.
Ndërkohë, kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha në një konferencë shtypi në Stokholm se mezi pret për "takime të mëtejshme konstruktive" me Turqinë për të "zgjidhur çdo çështje apo keqkuptim që mund të ketë".
Ndërsa, lidhur me një operacion të ri ushtarak ndërkufitar në Siri, Erdogan tha se Turqia po “hynte në një fazë të re” në qëllimin e saj për të krijuar një zonë tampon 30 kilometra në jug të kufirit.
Territori i cili është nën kontrollë të një administrate kurde siriane, shihet nga Turqia si një vend që është përdorur për të nisur sulmet kundër saj.
Erdogan veçoi qytetet Tall Rifat dhe Manbij si objektiva që Turqia do t’i "pastroj nga terroristët". Të dy qytetet shtrihen në perëndim të lumit Eufrat, ndërsa rajoni kryesor i kontrolluar nga kurdët është në lindje.