Turqia e paralajmëron Greqinë: As një milje zgjerim, mbetet në fuqi deklarata e vitit 1995 - NACIONALE

Turqia e paralajmëron Greqinë: As një milje zgjerim, mbetet në fuqi deklarata e vitit 1995

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Turqia të enjten i vendosi vijë të kuqe çfarëdo zgjerimi të ujërave territoriale greke në Detin Egje.

“Ne nuk do ta lejojmë zgjerimin e ujërave territoriale (greke) as për një milje në Egje, lëre më 12”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, në konferencën e fundvitit për gazetarë në Ankara, duke iu përgjigjur raporteve se Athina planifikon që t’i zgjerojë ujërat territoriale përreth ishullit të Kretës në 12 milje detare.

Duke përmendur një vendim parlamentar turk të vitit 1995 për këtë çështje, Cavusoglu tha: “Po e paralajmërojmë Greqinë edhe një herë. Mos hyni në heroizëm mashtrues duke u besuar atyre që mund t’ju përkrahin. Mos kërkoni aventura. Nuk do të përfundojë mirë për ju!”

Deklarata e vitit 1995 paralajmëron se nëse Greqia i zgjeron ujërat territoriale në Egje përtej gjashtë miljeve, kuvendi do t’ia japë qeverisë “të gjithë autoritetin”, përfshirë autoritetin ushtarak, për t’i mbrojtur interesat e Turqisë, shkruan “Anadolu”, përcjell “Nacionale”.

Duke u zotuar për vazhdimin e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të Turqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor, Cavusolgu tha se Ankaraja është munduar që të vërë në funksion kanale diplomatike me Athinën.

“Megjithatë, ne e pezulluam dialogun për shkak të fushatës së (kryeministrit grek) Mitsotakis kundër Turqisë, provokimeve në Egje, akuzave për gjenocid dhe presionit ndaj turqve të Trakesë Perëndimore”- shtoi ai.

Duke theksuar se Turqia është “vend kyç” për Evropën sa u përket “çështjeve themelore nga energjia te ushqimi, nga siguria te migrimi, nga prodhimi te zinxhiri furnizues”, kryediplomati turk tha: “Verbëria strategjike e BE-së u pamundëson atyre që ta shohin të vërtetën.”

Lajme të ngjashme