Turqia e mbështet rritjen e shpenzimeve të NATO-s, planifikon mburojë ajrore kombëtare - NACIONALE

Turqia e mbështet rritjen e shpenzimeve të NATO-s, planifikon mburojë ajrore kombëtare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia e mbështet vendimin e NATO-s për t’i çuar shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) deri në vitin 2035 dhe se tashmë është duke e tejkaluar pragun e mëparshëm prej 2 për qind, tha të enjten një burim në Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë.

Aleatët e NATO-s të mërkurën u pajtuan për ta rritur objektivin e shpenzimeve të përbashkëta në 5 për qind të prodhimit vendës bruto gjatë dekadës së ardhshme, duke i përmendur si arsye kërcënimin afatgjatë që paraqitet nga Rusia dhe nevojën për t’i fuqizuar qëndrueshmërinë civile dhe ushtarake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Turqia është mbi cakun prej 2 për qind sipas Zotimit të Shpenzimeve të Mbrojtjes” – tha burimi. “Si ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, Turqia është në mesin e pesë kontribuuesve më të mëdhenj në operacionet dhe misionet e aleancës”- shtoi ai.

Burimi tha më tej se Turqia i kishte përmbushur të gjitha objektivat e veta në NATO sa u përket kapaciteteve dhe është duke vazhduar që të investojë në zhvillim dhe hulumtim në industrinë e mbrojtjes. Ky shtet planifikon që të zgjerojë një rrjet të shtresuar të mbrojtjes ajrore në mbarë vendin, të përqendruar në projektin kombëtar “Kupola e Çeliktë”.

“Ne jemi duke investuar në sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete të raketave hipersonike, balistike dhe me drejtim, sisteme tokësore, detare dhe ajrore pa pilotë, si dhe në gjeneratën e ardhshme të aeroplanmbajtëseve, fregatave dhe tankeve” – tha burimi në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në objektivin e ri të NATO-s përfshihen shpenzimet prej të paktën 3,5 për qind të GDP-së për shpenzime themelore të mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër duhet të shpenzohet në infrastrukturën që ndërlidhet me sigurinë për t’i përmirësuar përgatitjen dhe qëndrueshmërinë civile./Nacionale

Lajme të ngjashme