Turpërohen qindra mercenarë rumunë në Kongo, kapen nga rebelët e grupit M23
Ka qenë një javë turpëruese për gati 300 mercenarë rumunë të rekrutuar për të luftuar në anën e ushtrisë së Republikës Demokratike të Kongos.
Dorëzimi i tyre pas një sulmi të rebelëve të grupit M23 ndaj qytetit lindor të Kongos, Goma, gjithashtu i ka shkatërruar ëndrrat e atyre që ishin paraqitur si rekrutë për të fituar shuma të majme parash, raporton televizioni BBC.
Televizioni britanik ka para kontrata që tregojnë se këta ushtarë të rekrutuar po paguheshin rreth 5 mijë dollarë në muaj, ndërsa rekrutët e rregullt ushtarak marrin rreth 100 dollarë në muaj, ose nganjëherë nuk paguhen fare.
Rumunët ishin kontraktuar për ta ndihmuar ushtrinë e Kongos që të luftonte kundër rebelëve të grupit M23, të cilët mbështeten nga Ruanda dhe të cilët thonë se po luftojnë për t’i mbrojtur të drejtat e pakicës etnike Tutsi në Kongo.
Kur ofensiva ndaj qytetit Goma nisi të dielën në mbrëmje, rumunët u detyruan që të kërkonin strehim në një bazë paqeruajtëse të OKB-së.
“Rebelët e grupit M23 ishin të mbështetur nga trupa dhe pajisjet ushtarake më modern nga Ruanda dhe arritën që të mbërrinin te pozicionet tona përreth qytetit Goma” – tha të hënën për televizionin TVR të Rumanisë Constantin Timofti, i përshkruar si bashkërendues i grupit.
“Ushtria kombëtare hoqi dorë nga luftimet dhe ne u detyruam që të tërhiqeshim” – shtoi ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, Andrei Tarnea, i tha televizionit BBC se pas kësaj pasuan bisedime “komplekse”, me të cilat u sigurua dorëzimi i luftëtarëve rumunë nga grupi M23 te Ruanda. Tarnea i përshkroi rumunët si punonjës privatë të Qeverisë së Kongos në një mision trajnues ushtarak.
Qyteti Goma shtrihet mu në kufi me Ruandën dhe mercenarët u incizuan nga gazetarët duke e kaluar kufirin, duke u dorëzuar për t’iu nënshtruar kontrollit trupor dhe kontrolleve të tjera./Nacionale/Nasuf Abdyli
#DRCongo 🇨🇩: a total of 288 Romanian mercenaries surrendered to #Rwanda following their crossing of the border from #Goma, which is now under #M23 control.
— Thomas van Linge (@ThomasVLinge) January 29, 2025
It is estimated that around 800 Romanians are active within the DRC, hired by the government to maintain security. pic.twitter.com/oag0ZPINca