Trupat ukrainase e ruse po përgatiten për një betejë të madhe në Kherson
Trupat ukrainase dhe ruse të enjten u duk se po përgatiteshin për një betejë të rëndësishme për qytetin strategjik bregdetar, Kherson në një rajon të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, e ka shpallur të aneksuar në mënyrë të paligjshme dhe ku është futur në fuqi ligji i luftës.
Luftime e evakuime u raportuan në rajonin Kherson përderisa Moska u mundua që ta godiste vendin e pushtuar deri në dorëzim me më shumë sulme me raketa e dronë ndaj infrastrukturës kritike, raporton agjencia “Associated Press”, përcjell Nacionale.
Putini e shpalli ligjin e luftës në Kherson, Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhia të mërkurën në përpjekje për ta vendosur autoritetin rus në zonat e aneksuara përderisa Rusia po pëson humbje në fushëbetejë, mobilizim me probleme, kritika në rritje në vend e jashtë tij dhe sanksione ndërkombëtare.
Statusi i papërcaktuar i territorit të marrë nën kontroll në mënyrë të paligjshme ishte veçanërisht i dukshëm në kryeqytetin e rajonit Kherson, ku zyrtarët ushtarakë rusë i kanë zëvendësuar udhëheqësit civilë të vendosur nga Kremlini si pjesë e ligjit të luftës, që hyri në fuqi të enjten për t’u mbrojtur nga kundërsulmi i forcave ukrainase.
Qyteti Kherson, ku para fillimit të luftës jetonin mbi 280.000 njerëz, ishte njëra ndër zonat e para urbane që u pushtua nga Rusia, kur filloi lufta, dhe mbetet qyteti më i madh ukrainas nën kontrollin rus. Khersoni është në shënjestër me prioritet nga të dyja palët për shkak të industrive kyçe të tij dhe një porti të rëndësishëm. Me muaj ka pasur raportime për sabotim e vrasje të zyrtarëve të vendosur nga Rusia në Kherson, në atë që duket se është njëra nga rezistencat më aktive ukrainase në territorin e pushtuar.
Zyrtarët e emëruar nga Kremlini u kanë bërë thirrje banorëve që të evakuohen për sigurinë e tyre dhe për t’ia lejuar ushtrisë ndërtimin e fortifikatave. Zyrtarët thanë se 15.000 banorë janë zhvendosur nga qyteti dhe zonat përreth tij deri të enjten. Shifra e planifikuar është 60.000.
Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se forcat ukrainase kanë kryer 15 sulme ndaj bastioneve ushtarake ruse në rajonin Kherson. Në anën tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e Kremlinit i kanë zmbrapsur përpjekjet ukrainase për avancim me tanke në fshatrat Sukhanove, Nova Maianka dhe Chervonyi Yar të rajonit Kherson.
Një zyrtar i vendosur nga rusët në këtë rajon, Vladimir Leontyev, tha të enjten se forcat ukrainase kanë kryer pesë sulme me raketa ndaj një dige në Kakhovka dhe një hidrocentrali rreth 70 kilometra larg qytetit Kherson. Ai tha në televizionin rus se nëse këto objekte shkatërrohen, një kanal kritik i ujit, që e furnizon Krimenë, do të ndërpritet.
Sidoqoftë, Zelensky tha se rusët kanë vendosur mina në digë dhe në hidrocentral me plan për t’i hedhur në erë. Sipas tij, ky është një akt terrorist për të zhbllokuar 18 milionë metra kub ujë me qëllim që të vërshohen Khersoni dhe dhjetëra zona ku jetojnë qindra mijëra njerëz. Ai i tha Këshillit Evropian se Rusia do ta fajësojë Ukrainën për këtë veprim.

