Trumpi thotë se Putini do ta lirojë gazetarin amerikan, Gershkovich: Do ta bëjë për mua
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do ta shfrytëzojë raportin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, për ta siguruar lirimin e reporterit të gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, nga një burg rus.
Miliarderi amerikan premtoi se kjo do të ndodhë shpejt pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në ShBA, ku ai po synon që ta mposhtë presidentin Joe Biden për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia “Reuters”.
“Evan Gershkovich, reporter nga “The Wall Street Journal”, që po mbahet në Rusi, do të lirohet pothuajse menjëherë pas Zgjedhjeve, por përfundimisht para se unë ta marr Zyrën. Ai do të jetë në shtëpi, i sigurt, dhe me familjen e tij” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.
“Vladimir Putin, president i Rusisë, do ta bëjë këtë për mua, por për askënd tjetër, dhe ne nuk do të paguajmë asgjë” – pretendoi më tej ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi nuk përmendi ndonjë kontakt me Putinin dhe as nuk tregoi se çfarë baze kishte për të besuar se presidenti rus do ta lironte reporterin amerikan.
Kur u pyet për këto komente, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini “natyrisht nuk ka pasur kontakte me Donald Trumpin”.
Reporteri Gershkovich u arrestua në Rusi në mars të vitit të kaluar nën akuza për spiunazh, të cilat ai, gazeta për të cilën punonte dhe administrata e presidentit Biden të ShBA-së i kanë mohuar fuqishëm.
Gazetari po mbahet për më shumë se një vit në një burg në Moskë, ndërsa autoritetet ruse ende nuk kanë caktuar ndonjë datë për nisjen e gjykimit.
Putini kishte thënë në shkurt se mund të ishte e mundshme që gazetari amerikan të lirohej në këmbim të lirimit të një rusi të burgosur në Gjermani për vrasje.