Trumpi thotë se pengjet në Gaza duhet të lirohen të hënën ose të martën - NACIONALE

Trumpi thotë se pengjet në Gaza duhet të lirohen të hënën ose të martën

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se pengjet në Gaza duhet të lirohen të hënën ose të martën dhe se ai shpreson se do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Egjipt.

Trumpi hapi një takim të Kabinetit të Shtëpisë së bardhë duke folur për marrëveshjen e arritur të mërkurën, sipas së cilës pengjet e mbajtura nga Hamasi do të lirohen në fazën e parë të një plani më të gjerë për Gazën. Ai tha se beson që ky plan do të çojë në paqe të qëndrueshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se, me planin e tij, Gaza “do të ribëhet ngadalë”, referencë ndaj planeve për rindërtimin e enklavës palestineze. Ai nuk ofroi hollësi.

Hamasi pritet t’i lirojë të gjitha 20 pengjet e gjalla së bashku, 72 orë pasi të ketë filluar armëpushimi.

“Do t’i kthejmë pengjet të martën – të hënën ose të martën, dhe kjo do të jetë ditë gëzimi” – tha Trumpi.

Ai shtoi se do të mundohet që të udhëtojë drejt rajonit për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Egjipt.

Shtëpia e Bardhë me nxitim është përpjekur që t’i organizojë hollësitë e udhëtimit të caktuar brenda një kohe të shkurtër.

Përderisa mbeten ende pyetje se çfarë do të ndodhë në rajon në rrafshin afatgjatë, presidenti amerikan tha se ky plan do të çojë në “paqe të përhershme”./Nacionale

Lajme të ngjashme