Trumpi thotë se mund t’ia zvogëlojë taksat Kinës për ta siguruar shitjen e TikTok-ut - NACIONALE

Trumpi thotë se mund t’ia zvogëlojë taksat Kinës për ta siguruar shitjen e TikTok-ut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai mund t’ia pakësojë taksat Kinës për ta ndihmuar arritjen e një marrëveshjeje për shitjen e aplikacionit të famshëm “TikTok” nga kompania “ByteDance”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha, gjithashtu, se është i gatshëm për ta zgjatur afatin e 5 prillit për gjetjen e një blerësi jo-kinez që do ta blinte platformën e njohur sociale, raporton televizioni BBC.

Në janar, Trumpi e shtyu zbatimin e një ligji të miratuar nën administratën e ish-presidentit Joe Biden për ndalimin e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.

Në legjislacionin e miratuar në vitin 2024 përmenden arsye që lidhen me sigurinë kombëtare si justifikim për urdhrin që TikTok-u të shitet ose të ndalohet.

“Sa i përket TikTok-ut, Kina do të duhet të luajë një rol në këtë, me gjasë në formën e një miratimi, ndoshta, dhe mendoj se ata do ta bëjnë këtë. Ndoshta unë do t’u jap atyre pak zvogëlim të taksave ose diçka për ta përfunduar këtë” – tha presidenti amerikan.

Ai tha, gjithashtu, se pret që të paktën një përvijim i marrëveshjes për rrjetin social të arrihet deri në afatin e 5 prillit.

Televizioni BBC i ka kontaktuar TikTok-un dhe ambasadën kineze në Uashington për koment.

Pika më problematike për finalizimin e marrëveshjes për shitjen e rrjetit social, i cili ka vlerë të miliarda dollarëve, ka qenë gjithmonë sigurimi i pajtueshmërisë së Pekinit.

Në ditën e parë pas rikthimit të tij në pushtet në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar, presidenti amerikan kishte kërcënuar me më shumë taksa ndaj importeve kineze, nëse Kina nuk do të miratonte një marrëveshje për shitblerjen e TikTok-ut./Nacionale

Lajme të ngjashme