Trumpi thotë se do t’i shkarkojë në vend udhëheqësit ushtarakë, nëse nuk i pëlqejnë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të takohet të martën me krerët e ushtrisë amerikane dhe se ai do të shkarkojë cilindo prej tyre menjëherë, nëse nuk i pëlqejnë.
“Unë do të takohem me gjeneralë e me admiralë e me liderë, dhe nëse nuk më pëlqen dikush, do t’i shkarkoj në vend” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai pritet që të flasë në një mbledhje të pashembullt të krerëve ushtarakë afër Uashingtonit më vonë të premten.
Qindra udhëheqës ushtarakë, përfshirë gjeneralë e admiralë të stacionuar në pjesë të ndryshme të botës, pritet të marrin pjesë në takimin me Trumpin dhe me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Nuk u ofrua publikisht asnjë arsye zyrtare, kur krerët ushtarakë u thirrën në takim me paralajmërim të shkurtër javën e kaluar, duke nxitur shumë spekulime. Nënpresidenti amerikan, JD Vance, është përpjekur që ta minimizojë peshën e këtij takimi.
Masat e sigurisë janë shumë të rrepta për takimin që do të mbahet në bazën “Quantico” në Virgjinia.
Duke e konfirmuar pjesëmarrjen e tij të dielën, Trumpi tha se do të jetë “vërtet vetëm një takim shumë i bukur ku do të flasim për atë se sa mirë po ia dalim ushtarakisht, do të flasim për të qenët në formë të mrekullueshme, bisedime për shumë gjëra të mira, pozitive”.