Trumpi thotë se do ta padisë gazetën “The New York Times”, kërkon shifër marramendëse
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do ta padisë gazetën e njohur amerikane, “The New York Times”, dhe do të kërkojë dëmshpërblim prej 15 miliardë dollarësh prej saj për ato që kreu i Shtëpisë së Bardhë i quan shpifje dhe njollosje.
“The New York Times është lejuar që në mënyrë të lirë të gënjejë, të më njollosë dhe të shpifë rreth meje për kohë shumë të gjatë dhe kjo ndalet TANI” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social” të hënën, raporton televizioni BBC.
Ai e veçoi mbështetjen që gazeta e njohur ia ka dhënë kandidates demokrate, Kamala Harris, në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, duke thënë se mediumi ishte bërë “tellall për Partinë Demokratike të së majtës radikale”.
Trumpi shtoi se padia do të dorëzohet në Florida, shtet bastion i Partisë Republikane. BBC-ja ka kërkuar koment nga gazeta prestigjioze për paralajmërimin e presidentit amerikan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë për një kohë të gjatë ka shprehur pakënaqësi rreth atyre që i sheh si media që anojnë nga e majta politike dhe janë të pafavorshme në raport me presidencën e tij.
Në shkrimin e publikuar në rrjetin “Truth Social”, presidenti amerikan akuzoi edhe media të tjera për “shpifje” kundër tij përmes “një sistemi shumë të sofistikuar të modifikimit vizual dhe të dokumenteve”.
Kjo nuk është hera e parë që Trumpi e padit gazetën “The New York Times”. Në vitin 2023, një gjykatës kishte rrëzuar një padi të Trumpit, atëherë ish-president, kundër kësaj gazete, duke thënë se pretendimet në padi “dështojnë si shkak i së drejtës kushtetuese”.
Trumpi kishte humbur edhe një betejë tjetër me mediat më 2023, kur e kishte paditur televizionin CNN për gjoja krahasimin që ia kishte bërë me udhëheqësin famëkeq nazist, Adolf Hitler. Një gjykatës federal më vonë e kishte hedhur poshtë padinë me të cilën Trumpi kërkonte 475 milionë dollarë dëmshpërblim./Nacionale