Trumpi për çmimet e naftës: “Nëse rriten, rriten”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se nuk është i brengosur për rritjen e çmimeve të karburanteve në vendin e tij, të nxitura nga zgjerimi i konfliktit me Iranin, duke i thënë agjencisë “Reuters” në një intervistë ekskluzive se prioritet është operacioni i ushtrisë amerikane.
“Unë nuk kam ndonjë shqetësim për këtë” – tha Trumpi, kur u pyet për rritjen e çmimeve të naftës. “Ato do të bien shpejtë, kur kjo të marrë fund dhe, nëse rriten, rriten, por kjo është shumë më e rëndësishme se rritja e çmimit të benzinës pak” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi ka përvijuar një kornizë kohore prej katër deri në pesë javësh për fushatën ushtarake kundër Teheranit, por ekspertët politikë dhe ushtarakë e kanë vënë në pikëpyetje atë, duke theksuar se Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka përkufizuar qëllimin përfundimtar, përderisa konflikti vazhdon të përhapet në rajon e përtej tij.
Në intervistë, Trumpi tha se beson që Ngushtica e Hormuzit, kanal jetik për transportin e naftës, do të mbetet e hapur, sepse forcat detare iraniane tashmë janë “në fund të detit”.
Çmimet globale të naftës janë rritur për 16 për qind që nga fillimi i luftës të shtunën, pasi përhapja e konfliktit i ka penguar dërgesat nga Lindja e Mesme.
Kostoja mesatare kombëtare e gazit në ShBA është rritur për 27 centë nga java e kaluar, sipas një organizate amerikane të udhëtimeve që i përcjell këto çmime. Megjithatë, Trumpi tha se kostot “nuk janë rritur shumë”.
Ky është një ndryshim i tonit të presidentit, i cili muajin e kaluar u lavdërua për ulje të çmimit të karburanteve./Nacionale