Trumpi kërcënon me ndalje të fondeve për Nju-Jorkun, nëse Mamdani “nuk sillet mirë” - NACIONALE

Trumpi kërcënon me ndalje të fondeve për Nju-Jorkun, nëse Mamdani “nuk sillet mirë”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën kërcënoi se do t’ia ndalë fondet federale qytetit të Nju-JOrkut, nëse kandidati favorit për kryetar, Zohran Mamdani, socialdemokrat, “nuk sillet mirë”, në rast se e fiton garën.

Ndërkohë, Mamdani mohoi se është komunist, siç tha Trumpi për të, por e ripohoi zotimin për t’i rritur taksat ndaj banorëve më të pasur të qytetit, duke thënë: “Nuk mendoj se duhet të kemi miliarderë”, raporton gazeta “The Guardian”.

Në një intervistë me gazetaren e televizionit “Fox News”, Maria Bartiromo, Trumpi argumentoi se fitorja e Mamdanit do të ishte “e paimagjinueshme”, sepse ai vlerëson që ky kandidat është “komunist i pastër”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi: “Le ta themi këtë: nëse ai futet (fiton), e unë do të jem president dhe ai do të duhet ta bëjë gjënë e duhur, ose ata nuk do të marrin asnjë të hollë. Ai duhet ta bëjë gjënë e duhur ose ata nuk do të marrin asnjë të hollë.”

Më shumë se 100 miliardë dollarë rrjedhin në Nju-Jork nga qeveria federale përmes entiteteve dhe programeve të ndryshme, sipas raportit të kontrolluesit financiar vitin e kaluar.

Duke folur të dielën në televizionin NBC, Mamdani tha: “Jo, unë nuk jam (komunist).” Ai gjithashtu tha se “tashmë i duhet të mësohet me faktin se presidenti do të flasë për atë se si unë dukem, si tingëlloj, nga jam, kush jam – përfundimisht për shkak se ai dëshiron që të bëjë shpërqendrim nga ajo për të cilën jam duke luftuar”.

Mamdani tha se frymëzohet nga aktivisit amerikan për të drejtat civile, Martin Luther King Jr dhe e përsëriti synimin për t’i rritur taksat ndaj më të pasurve të Nju-Jorkut si pjesë e zotimit të fushatës “për ta zhvendosur barrën e taksave nga pronarët e mbitaksuar të shtëpive në lagjet e jashtme te shtëpitë më të shtrenjta në lagjet më të pasura dhe më të bardha”.

Kur u pyet për propozimet e Mamdanit për ta kundërshtuar shtypjen e imigrimit nga administrata e tij dhe për ta arrestuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ai shkel në Nju-Jork, Trumpi tha se kandidati për kryetar do të ishte “shumë i pasuksesshëm” në të dyja rastet.

“Ai është një i çmendur i së majtës radikale” – tha presidenti amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme