Trumpi: Izraeli do të duhet të marrë vendim për luftën e Gazës, pamjet e urisë të tmerrshme - NACIONALE

Trumpi: Izraeli do të duhet të marrë vendim për luftën e Gazës, pamjet e urisë të tmerrshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se “Izraeli do të duhet të marrë një vendim” për Gazën, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mohoi se vendi i tij ka ndonjë faj për mungesën e ndihmave atje.

Trumpi, i cili ndodhet për një vizitë 4-ditore në Skoci, u pyet nga një gazetar për pamjet e fëmijëve të uritur në Gaza, për të cilat tha se janë “të tmerrshme”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Megjithatë, ai shpejt i shtoi fjalët “ata po e vjedhin ushqimin”, pa saktësuar se për kë e kishte fjalën, edhe pse me gjasë po aludonte te Hamasi, të cilin Izraeli rregullisht e ka fajësuar për vjedhjen e ndihmave.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë më pas tha se vendi i tij ka dhënë donacion 60 milionë dollar për Fondacionin Humanitar të Gazës, i cili është ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së ndihmave në enklavë, ndërsa “asnjë shtet tjetër nuk ka dhënë ndonjë gjë”.

“Kjo të bën të ndihesh pak keq, kur ti e bën këtë dhe, e dini, ke shtete të tjera që nuk janë duke dhënë asgjë” – tha presidenti amerikan, i ulur pranë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Askush nuk dha pos neve dhe askush nuk tha: faleminderit shumë. Do të ishte bukur të kishe të paktën një falënderim” – u ankua Trumpi.

“Ne jemi duke dhënë shumë para, shumë ushqim, shumë gjithçka. Nëse ne nuk do të ishim atje, mendoj se njerëzit do të kishin vdekur urie, sinqerisht. Do të kishin vdekur urie dhe nuk është që po hanë mirë” – tha më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Shifra e vërtetë e paraqitur nga Fondacioni Humanitar i Gazës është 30 milionë dollarë dhe ShBA-ja nuk është shteti i vetëm që ka dhuruar ndihma humanitare. Uashingtoni madje nuk është as donator më i madh, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë përqindje më të madhe të asistencës, thekson gazeta izraelite në gjuhën angleze.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri pretendim të ngjashëm me atë të presidentit amerikan, duke thënë se, po të mos ishte ai, banorët e Gazës do të kishin vdekur urie para një kohe të gjatë.

“Nuk ka politikë të vdekjes nga uria në Gaza dhe nuk ka vdekje nga urie në Gaza” – tha Netanyahu, duke shtuar se Izraeli “e ka mundësuar sasinë (e ndihmave) që kërkohet me të drejtën ndërkombëtare” për të hyrë në Rripin e Gazës, për të cilën tha se ka arritur në rreth 1,9 milion ton që nga fillimi i luftës në tetorin e vitit 2023.

“Izraeli e mundësoi ndihmën humanitare gjatë tërë luftës… Në të kundërtën, nuk do të kishte banorë të Gazës” – pretendoi ai, duke e fajësuar Hamasin për pengimin e dërgesave dhe pastaj për “akuzimin e Izraelit se nuk po i ofron ato”./Nacionale

Lajme të ngjashme