Trumpi e urdhëron rihapjen e burgut famëkeq të Alcatrazit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta udhëzojë administratën e tij që ta rihapë dhe ta zgjerojë Alcatrazin, ish-burgu famëkeq që ndodhet në një ishull afër urës “Porta e Artë” në San Francisko.
Në një porosi të publikuar në rrjetin “Truth Social” të dielën, Trumpi tha se “për kohë shumë të gjatë, Amerika është “plagosur nga kriminelët e egër, të dhunshëm dhe përsëritës”.
Sipas presidentit amerikan, rihapja e Alcatrazit – dikur famëkeq si njëri nga burgjet më të rënda në Shtetet e Bashkuara – do të shërbente si “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.
Figura udhëheqëse nga Partia Demokratike thanë se ky propozim “nuk është serioz”. Objekti me siguri maksimale ishte mbyllur në vitin 1963 dhe tani për tani përdoret si qendër e suksesshme turistike, raporton televizioni BBC.
“Sot do t’i udhëzoj Byronë e Burgjeve, bashkë me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë së Atdheut që ta rihapin Alcatrazin të zmadhuar në masë substanciale dhe ta rindërtojnë atë” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ai paralajmëroi se në këtë burg do të mbyllen “shkelësit më të pamëshirshëm dhe më të dhunshëm të Amerikës”.
Trumpi është përplasur me gjykatat për politikën e tij të dërgimit të anëtarëve të dyshimtë të bandave në një burg në El Salvador. Në mars, ai dërgoi atje një grup prej më shumë se 200 anëtarëve të dyshimtë venezuelasë të bandave.
Burgu Alcatraz ishte mbyllur, sepse kushtonte shumë shtrenjtë për t’u mbajtur funksional, sipas uebfaqes së Byrosë Federale të Burgjeve. Ai kushtonte gati trefish më shumë se cilido burg tjetër federal, kryesisht për shkak të vendndodhjes së tij në ishull.