Trumpi e quan komunist favoritin për kryetar të Nju-Jorkut, jep një paralajmërim - NACIONALE

Trumpi e quan komunist favoritin për kryetar të Nju-Jorkut, jep një paralajmërim

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do të ngurronte që të dërgonte fonde federale në qytetin e tij të lindjes, Nju-Jork, nëse kandidati favorit me bindje majtiste, Zohran Mamdani, zgjidhet kryetar i qytetit më të madh në vend këtë javë.

“Do të jetë vështirë për mua si president që të jap shumë para për Nju-Jorkun, sepse nëse keni një komunist që e drejton Nju-Jorkun, krejt çka po bëni është çuarja dëm e parave që po i dërgoni atje” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë, raporton televizioni BBC.

Administrata e Trumpit në mënyrë të përsëritur është munduar që t’i pakësojë grantet dhe fondet federale për projekte që janë kryesisht në pjesë të vendit që qeverisen nga Partia Demokratike, rivale e republikanëve të Trumpit.

Sipas sondazheve, Mamdani gëzon më shumë mbështetje se rivali i tij kryesor, ish-guvernatori i shtetit të Nju-Jokrut, Andrew Cuomo, para zgjedhjeve të së martës.

Trumpi nuk hyri në hollësi rreth komentit të tij për financat në rast se Mamdani e fiton garën. Qyteti i Nju-Jorkut këtë vit fiskal mori fonde federale prej 7,4 miliardë dollarësh.

Presidenti, i cili është rritur në Queens të Nju-Jorkut, praktikisht i dha mbështetje demokratit Cuomo.

“Nuk jam tifoz i Cuomo-s në një mënyrë apo tjetrën, por [gara] do të jetë mes një demokrati të keq dhe një komunisti, unë do ta zgjedh demokratin e keq tërë kohën, që të jem i sinqertë me ju” – tha Trumpi.

Mamdani e përshkruan veten si social-demokrat dhe i ka mohuar akuzat se është komunist. Me tallje, në një intervistë televizive ka thënë se ai është “disi si një politikan skandinav”, vetëm më i kaftë./Nacionale

Lajme të ngjashme