Trumpi e paralajmëron Iranin për intensifikim sulmesh, nëse nuk arrihet marrëveshje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin se nëse nuk arrihet një marrëveshje e paqes, ShBA-ja do t’i rinisë veprimet ushtarake me intensitet edhe më të lartë.
“Ne po i ngarkojmë anijet me municionin më të mirë, me armët më të mira të prodhuara ndonjëherë – edhe më të mira se ajo çfarë bëmë më parë dhe i shkatërruam ata” – tha të premten presidenti amerikan në një intervistë telefonike me “New York Post”, transmeton televizioni CNN.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “do t’i përdorin ato [armë] në mënyrë shumë efikase”, nëse nuk ka marrëveshje.
Kur nënpresidenti JD Vance është nisur drejt Pakistanit për t’i udhëhequr bisedimet me iranianët, Trumpi tha se 24 orët e ardhshme do të zbulojnë nëse negociatat do të jenë të suksesshme.
“Do ta marrim vesh brenda rreth 24 orëve. Do ta dimë së shpejti” – tha presidenti amerikan.
Ai gjithashtu shprehu dyshime rreth porosive që i përçon Irani. “Keni të bëni kundër njerëzve që nuk e dimë nëse e thonë të vërtetën apo jo” – tha Trumpi.
“Para syve tanë, ata [po thonë se] do t’i heqin qafe të gjitha armët bërthamore, gjithçka e mbaruar, e pastaj dalin para gazetarëve e thonë: “Jo, do të donim të pasurojmë [uranium]. Prandaj, do ta marrim vesh” – shtoi presidenti amerikan./Nacionale