Trumpi e mbështet idenë e Putinit për lojëra të hokejit mes ShBA-së e Rusisë, thotë Kremlini - NACIONALE

Trumpi e mbështet idenë e Putinit për lojëra të hokejit mes ShBA-së e Rusisë, thotë Kremlini

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, e përkrah idenë e homologut rus, Vladimir Putin, për zhvillimin e ndeshjeve të hokejit mbi akull mes lojtarëve profesionistë amerikanë e rusë, tha Kremlini pas telefonatës mes dy udhëheqësve të martën.

Rusia është përjashtuar nga garat ndërkombëtare të hokejit mbi akull pas fillimit të pushtimit të Ukrainës para tre vjetëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Donald Trumpi e përkrahu idenë e Vladimir Putinit për të organizuar lojëra të hokejit në ShBA dhe Rusi mes lojtarëve rusë e amerikanë që luajnë në NHL dhe KHL” – tha Kremlini.

Liga Kombëtare e Hokejit (NHL) është liga kryesore e hokejit në Amerikën Veriore, ndërsa Liga Kontinentale e Hokejit (KHL) e ka bazën në Rusi.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë pas telefonatës mes dy presidentëve nuk u përmend hokeji dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj pyetjeve rreth këtij sporti.

Liga NHL tha se nuk ishte e gatshme për të komentuar. “Ne sapo u njoftuam për bisedën mes presidentit Trump dhe presidentit Putin” – tha në një deklaratë një zëdhënës i ligës NHL.

“Qartazi, ne nuk ishim palë në ato diskutime dhe do të ishte jo e duhur që ne të komentonim në këtë kohë” – shtoi ai.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Federata Ndërkombëtare e Hokejit mbi Akull i pezulloi të gjitha ekipet kombëtare dhe klubet nga Rusia dhe Bjellorusia nga pjesëmarrja në ngjarje ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme