Trumpi del sot para gjyqit, shtohen masat e sigurisë në Uashington
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të ngarkohet zyrtarisht me aktakuzë në një seancë gjykate të enjten rreth akuzave për komplot për zhbërjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Niveli i sigurisë po përforcohet në Uashington për seancën e së enjtes. Pengesa metali janë vendosur pranë gjykatës federale, ku Trumpit do t’i lexohen akuzat zyrtarisht, raporton televizioni BBC.
Objekte të ngjashme janë vendosur edhe përreth ndërtesave të Capitolit, ku përkrahësit e ish-presidentit kishin bërë sjellje të dhunshme në janarin e vitit 2021, të zemëruar me rezultatin e zgjedhjeve.
Shërbimi Sekret, që u ofron siguri presidentit dhe ish-presidentëve amerikanë, lëshoi një deklaratë, duke i paralajmëruar qytetarët për ndërlikime afatshkurtra në trafik në pjesën qendrore të kryeqytetit.
Të mërkurën, një telefonatë qartazi mashtruese në numrin e shërbimeve emergjente për të shtëna në Capitol e nxiti izolimin në tri ndërtesa zyrtare të Senatit dhe një reagim masiv e urgjent të policisë.
Duke folur para gazetarëve gjatë gjendjes së lartë të gatishmërisë, komandanti i policisë në Capitol, Tom Manger, tha se policët që ishin ballafaquar me protestuesit para dy viteve e gjysmë janë të trajnuar mirë e të përgatitur për ushtrime në rast të të shtënave.
Raportohet se edhe mbrojtja për gjykatësit e përfshirë në rastin e Trumpit është shtuar.
Këtu përfshihet gjykatësja e qarkut, Tanya Chutkan, e cila i kishte thënë një avokati në një rast tjetër se nuk kishte fjetur që nga koha kur është ngarkuar me rastin e Trumpit.
Trumpi pritet të paraqitet në gjykatë të enjten në orën 16:00 sipas kohës lokale dhe pritet që të deklarohet i pafajshëm. Edhe pse ka mundësi që të paraqitet përmes video-lidhjes, merret vesh se ai do të shkojë fizikisht në gjykatë.
Të mërkurën, përmes një shkrimi me të gjitha shkronjat të mëdha në rrjetin “Truth”, Trumpi i falënderoi përkrahësit e tij dhe tha: “Kurrë nuk kam pasur mbështetje më të madhe për asgjë më parë.”
Sipas aktakuzës, Trumpi ngarkohet me katër akuza, përfshirë konspiracionin për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe konspiracionin kundër të drejtave të qytetarëve.
