Trumpi: Centrifugat e Iranit ose do të hidhen në erë bukur me pakt, ose egër pa të
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mërkurën la të kuptohej se ai po sunon që t’i “hedhë në erë” centrifugat bërthamore të Iranit përmes një marrëveshjeje me Teheranin, por është gjithashtu i përgatitur për të bërë një gjë të tillë përmes një sulmi, nëse është e nevojshme.
Kur u pyet në një intervistë se a i kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara Iranit që të zgjedhë mes çmontimit të centrifugave bërthamore dhe zhbërjes së uraniumit e “bombardimeve”, presidenti amerikan u përgjigj: “Është po kaq e thjeshtë.”
Zyrtarët iranianë kanë thënë se kurrë nuk do t’i çmontojnë centrifugat bërthamore, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Do të parapëlqeja shumë një marrëveshje të fortë, të verifikuar, ku ne në të vërtetë i hedhin në erë ato (centrifugat)... ose thjesht i denuklearizojmë ato” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë. “Janë vetëm dy alternativa aty, hedhja në erë në mënyrë të bukur ose hedhja në erë në mënyrë të egër” – shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, megjithatë, kur Trumpi u pyet nga gazetarët se a është pozicioni i Shteteve të Bashkuara që ta lejojnë Iranit të ketë një program të kufizuar të pasurimit të uraniumit, presidenti amerikan tha: “Nuk e kemi marrë ende atë vendim. Do ta marrim.”
Komentet e ndara e nënvizuan më tej atë që duket si mungesë e qartësisë në lidhje me pozicionin e administratës amerikane ndaj Iranit, pasi disa zyrtarë kanë thënë se janë të përgatitur që ta lejojnë Iranin për të pasur kapacitete të kufizuara për pasurimin e uraniumit, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se duan që programi bërthamor i Teheranit të shkatërrohet plotësisht.
Të dielën, Trumpi tha se qëllimi i bisedimeve bërthamore të administratës së tij me Iranin është që të arrihet “çmontimi i plotë” i programit bërthamor të Iranit, por se ai është i hapur për mundësinë që Teheranit t’i lejohet zhvillimi i energjisë bërthamore civile./Nacionale