Trump: ShBA-ja do të ndërmarrë veprime shumë të forta, nëse Irani var protestues në litar
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendi i tij do të ndërmarrë “veprime shumë të forta”, nëse autoritetet iraniane fillojnë që t’i ekzekutojnë protestuesit, por nuk dha hollësi se cilat do të ishin ato veprime.
“Nuk kam dëgjuar për varje. Nëse i varin [protestuesit], do të shihni disa gjëra… Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta, nëse ata bëjnë një gjë të tillë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë për televizionin CBS në Michigan, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi tha se është i vetëdijshëm që “një numër goxha substancial” i njerëzve janë vrarë gjatë më shumë se dy javëve të protestave dhe e përsëriti deklaratën se “ka shumë ndihmë rrugës” për qytetarët iranianë “në forma të ndryshme”, përfshirë asistencën ekonomike.
Ai gjithashtu i përmendi sulmet ajrore amerikane të vitit të kaluar, në shënjestër të të cilave ishin tri qendra bërthamore të Iranit, edhe pse nuk dha ndonjë hollësi tjetër.
Kur u pyet se cili është qëllimi përfundimtar që e ka në Iran, presidenti amerikan tha: “Të fitojmë. Më pëlqen që të fitoj.”
Më pas, kur u pyet se çka nënkuptohet me fitore, ai përmendi një varg operacionesh ushtarake gjatë mandatit të parë e të dytë në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar:
“Nuk duam ta shohim duke ndodhur atë që po ndodh në Iran dhe, e dini, nëse ata duan që të kenë protesta, kjo është një gjë, kur ata fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani po më tregoni për varjet – do të shohim se si do t’u dalë atyre kjo. Nuk do të dalë mirë.”