Trump informohet mbi opsionet për të goditur Iranin ndërsa protestat vazhdojnë
Sipas disa zyrtarëve amerikanë, Presidenti i ShBA-së Donald Trump është informuar ditët e fundit mbi opsione të reja për sulme ushtarake në Iran.
Trump, siç shkruan New York Times, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, por zyrtarët thanë se ai po konsideronte seriozisht autorizimin e një sulmi si përgjigje ndaj përpjekjeve të regjimit iranian për të shtypur demonstratat e nxitura nga pakënaqësitë e gjera ekonomike.
Presidentit raportohet se i janë paraqitur një sërë opsionesh, përfshirë sulme ndaj objekteve joushtarake në Teheran, shkroi NYT, duke iu refruar një burimi konfidencial.
"Irani po sheh LIRINË, ndoshta si kurrë më parë," shkroi Z. Trump në rrjetet sociale të shtunën. "SHBA-ja qëndron e gatshme për të ndihmuar!!!"
Demonstratat në Iran nisën në fund të dhjetorit si përgjigje ndaj një krize të inflacionit, por që atëherë janë përhapur dhe rritur në numër, teksa shumë iranianë kanë bërë thirrje për ndryshime rrënjësore të qeverisë autoritare të vendit. Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar se do t'i shtypin demonstratat dhe dhjetëra protestues janë vrarë, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, tha të premten se qeveria "nuk do të zmbrapset" përballë protestave në shkallë të gjerë.
Z. Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër qeverisë iraniane për përpjekjet e saj për të shtypur demonstratat, dhe të premten, ai tha se Irani "është në telashe të mëdha".
"E kam bërë deklaratën shumë të fortë se nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi," u tha Z. Trump gazetarëve të premten, gjatë një takimi me drejtues të naftës. "Do t'i godasim shumë fort aty ku dhemb. Dhe kjo nuk nënkupton trupa tokësore (boots on the ground), por do të thotë t'i godasim shumë, shumë fort aty ku dhemb. Kështu që ne nuk duam që ajo të ndodhë."
Sekretari i Shtetit Marco Rubio bisedoi me telefon të shtunën në mëngjes me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas tre personave që kanë dijeni për telefonatën. Dy liderët diskutuan protestat në Iran, së bashku me situatën në Siri dhe një marrëveshje paqeje në Gaza, thanë tre burimet.
Herët të shtunën, Z. Rubio shkroi në një llogari personale në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara "mbështesin popullin e guximshëm të Iranit".
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se komandantët në rajon do të donin më shumë kohë përpara çdo sulmi të mundshëm për të konsoliduar pozicionet ushtarake të ShBA-së dhe për të përgatitur mbrojtjen ndaj çdo sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.
Zyrtarët amerikanë thanë se çdo veprim ushtarak do të duhej të balanconte përmbushjen e premtimit të Trump për të ndëshkuar qeverinë në Teheran nëse ajo shtypte protestuesit, me kujdesin për të mos e përkeqësuar situatën.
Z. Trump po konsideron të sulmojë sërish Iranin pak më shumë se gjashtë muaj pasi urdhëroi sulme kundër tre prej objekteve të tij bërthamore qershorin e kaluar.
Në atë sulm, të cilin ushtria e quajti Midnight Hammer (Çekiçi i Mesnatës), gjashtë bombardues B-2 hodhën 12 bomba "bunker-buster" (shkatërruese bunkerësh) në një objekt malor në Fordo, dhe nëndetëset e Marinës lëshuan 30 raketa lundrimi (kruz) në objektet bërthamore në Natanz dhe Isfahan. Një B-2 hodhi gjithashtu dy bomba "bunker-buster" në Natanz.