"U shpëtova nga Zoti": Trump paralajmëron një transformim rrënjësor të Amerikës
Donald Trump është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke mbajtur një fjalim inaugurues që theksoi vizionin e tij për një epokë të re për vendin.
Trump e përshkroi këtë moment si fillimin e një transformimi të madh dhe e cilësoi veten si një lider të dërguar nga Zoti për të rikthyer madhështinë e Amerikës.
"Rënia e Amerikës ka marrë fund"
Trump e nisi fjalimin e tij inaugurues duke thënë se "epoka e artë e Amerikës".
Ai përshkroi veten si një i shpëtuar nga Zoti që do të zgjidhë problemet e Amerikës.
"Udhëtimi për të rikthyer republikën tonë nuk ka qenë i lehtë, këtë mund t'ua them. Ata që dëshirojnë të ndalojnë kauzën tonë kanë tentuar të më marrin lirinë dhe madje të më marrin jetën. Vetëm disa muaj më parë, në një fushë të bukur në Pensilvani, një plumb vrasës më kaloi pranë veshit, por atëherë ndjeva dhe tani besoj edhe më shumë, se jeta ime u shpëtua për një arsye. U shpëtova nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhe përsëri."
Premtime për reforma të mëdha
Presidenti i sapozgjedhur premtoi një fokus të veçantë për të ribalancuar drejtësinë në vend, duke kritikuar ashpër përdorimin politik të institucioneve qeveritare.
“Armatimi i egër dhe i padrejtë i Departamentit të Drejtësisë do të marrë fund. Peshorja e drejtësisë do të ribalancohet,” deklaroi Trump, duke e bërë të qartë se administrata e tij do të veprojë për të rikthyer integritetin në qeveri.
Gjendja e jashtëzakonshme në kufirin ShBA-Meksikë
Një nga veprimet e para të administratës së tij do të jetë shpallja e një gjendjeje të jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën.
“Sot do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ndalur menjëherë çdo hyrje të paligjshme në vend. Do të fillojmë procesin e kthimit të miliona të huajve kriminalë në vendet e tyre të origjinës.” - tha Trump.
Trump e mbylli fjalimin e tij me një thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj kauzës së tij, duke premtuar se do të qëndrojë i patundur në përpjekjen për të rikthyer atë që ai e quajti “republikën e vërtetë amerikane.”