Trump bëri thirrje për shfuqizimin e Kushtetutës së SHBA-së pas publikimit të emaileve të brendshme në Twitter
Ish-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri thirrje për shfuqizimin e Kushtetutës së SHBA-së në mënyrë që të anulohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pra ta kthejnë atë në Shtëpinë e Bardhë si president. Është një vazhdim i ri i politikës së Trump për të mohuar rezultatet e zgjedhjeve dhe për të shtyrë teoritë e errëta të konspiracionit, shkruan CNN.
"A duhet të hedhim poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe të shpallim një fitues të vërtetë apo të bëjmë një zgjedhje të re? Një mashtrim masiv i këtij lloji dhe këtyre përmasave lejon shfuqizimin e të gjitha rregullave dhe rregulloreve, madje edhe atyre që gjenden në Kushtetutë", tha Trump në një postim në rrjetin social Truth Social dhe akuzoi kompanitë e mëdha të teknologjisë për bashkëpunim me Partinë Demokratike. “Themeluesit e Amerikës nuk donin dhe nuk do të kishin miratuar zgjedhje të falsifikuara dhe mashtruese”, shtoi ai.
Njoftimi i Trump vjen pas publikimit të e-mail-eve të brendshme në Twitter që tregojnë se kompania diskutoi nëse Twitter duhet të lejojë apo jo publikimin e historisë së New York Post në lidhje me materialet e gjetura në laptopin e Hunter Biden, djalit të presidentit aktual të SHBA-së Joe Biden.
Çfarë thotë Shtëpia e Bardhë?
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, tha dje se njoftimi i Trump "shkon kundër shpirtit të kombit tonë dhe duhet të dënohet nga të gjithë". "Nuk mund ta duash Amerikën vetëm kur fiton. Kushtetuta e SHBA-së është dokumenti ynë më i rëndësishëm, që garanton lirinë dhe sundimin e ligjit në vendin tonë për më shumë se 200 vjet", tha Bates.
"Kushtetuta bashkon popullin amerikan, pavarësisht nga partia, dhe liderët e zgjedhur betohen për Kushtetutën. Është monumenti përfundimtar për të gjithë amerikanët që kanë dhënë jetën e tyre për të mposhtur despotët që kanë shpërdoruar pushtetin e tyre dhe kanë shkelur të drejtat themelore të njeriut", shtoi ai.
Çfarë diskutuan punonjësit e Twitter në 2020?
CNN raporton se emailet e brendshme të Twitter tregojnë se punonjësit e ekipeve ligjore dhe të komunikimit të rrjetit social diskutuan nëse qasja në artikullin e New York Post për laptopin e Hunter Biden duhet të kufizohet.
Debati brenda Twitter u zhvillua në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, kur Joe Biden, babai i Hunter Biden, konkurroi kundër Presidentit të atëhershëm Trump. Vetë Trump njoftoi muajin e kaluar se do të kandidonte sërish për president. Megjithëse Trump konsiderohet ende lider i Partisë Republikane, shumë drejtues të lartë kishin shpresuar se Trump do të ndalonte mohimin e rezultateve të zgjedhjeve pas rezultateve relativisht të dobëta të partisë në zgjedhjet e fundit. /Nacionale/