Tregtarët vunë bast mbi 500 milionë dollarë në naftë 15 minuta para një postimi të Trumpit - NACIONALE

Tregtarët vunë bast mbi 500 milionë dollarë në naftë 15 minuta para një postimi të Trumpit

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Tregtarët vunë bast gjysmë miliardi dollarë për çmimin e naftës së papërpunuar vetëm 15 minuta para se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të njoftonte një pauzë 5-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, sipas të dhënave të këmbimit dhe përllogaritjeve të agjencisë “Reuters”.

Pasi i kishte caktuar Iranit një afat për të hënën për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit ose do të ballafaqohej me “zhdukje” të centraleve energjetike, postimi i Trumpit në rrjetin “Truth Social” në orën 11:05 të hënën nxiti një shitje të fuqishme të naftës dhe gazit natyror, raporton agjencia “Reuters”.

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “Brent” ra deri në 15 për qind brenda minutave, pasi Trumpi la të kuptohej se po zhvilloheshin bisedime konstruktive mes Uashingtonit e Teheranit, duke i nxitur investitorët që t’i llogarisnin efektet e mundësisë për depërshkallëzimin e situatës që do të mund të zhbllokonte miliona fuçi nafte, që tani kanë mbetur të ngujuara në Gjirin Persik.

Të dhënat nga LSEG tregojnë se mes orës 10:49 dhe 10:50, tregtarët vunë baste në 5.100 lote të bursave “Brent” dhe WTI, me vlerë mbi 500 milionë dollarë, sipas përllogaritjeve të agjencisë “Reuters”.

Këto të dhëna gjithashtu tregojnë se, në minutën kur ato kontrata e ndërruan pronarin, shitja po mbizotëronte mbi vëllimet. Nuk ishte e mundshme që të përcaktohej se kush ka bërë tregti me këtë sasi nafte.

“International Exchange”, ku tregtohet nafta e bursës “Brent” dhe “CME Group”, që e ka në pronësi NYMEX-in, ku tregtohet nafta e bursës WTI, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.

Komisioni i Sigurimeve dhe Këmbimit i ShBA-së refuzoi të komentonte. As Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Kur rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës mbeten ende të bllokuara nga lufta në Lindjen e Mesme, çmimet ende janë më shumë se 40 për qind më të larta se para nisjes së konfliktit në fund të shkurtit./Nacionale

Lajme të ngjashme