Tre të vrarë e 13 të plagosur nga një sulm rus në Odesa të Ukrainës
Autoritetet ukrainase kanë thënë se të paktën tre persona u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi rus me raketa gjatë natës së kaluar në qytetin bregdetar, Odesa.
Në shënjestër të këtyre raketave ishin një depo, një qendër tregtare dhe disa dyqane, raporton televizioni BBC.
Komanda Jugore e Ukrainës paralajmëroi se në vendet e sulmeve mund të ketë ende njerëz të ngujuar nën rrënoja.
Një televizion ukrainas e citon Komandën Operacionale Jugore të ketë thënë se Odesa u vu në shënjestër me katër raketa të tipit “Kalibr”, të hedhura nga një anije në Detin e Zi.
Sipas televizionit “One Plus One TV”, dy raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, një raketë goditi një depo, ku shpërtheu zjarri. Tre punëtorë u vranë dhe shtatë u plagosën, raportoi ky televizion.
Raportohet se një qendër tregtare, një objekt arsimor, një kompleks banimi si dhe disa kafene e dyqane në qendër të qytetit janë dëmtuar, ndërsa gjashtë banorë janë lënduar.
Gjatë adresimit të zakonshëm të mbrëmjes, presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmete fundit nga Rusia ndaj civilëve dëshmojnë se partnerët e Ukrainës duhet të sigurohen që vendi i tij të ketë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanë luftarakë modernë.
Të martën, Shtetet e Bashkuara njoftuan për 235 milionë dollarë ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën. Në këto ndihma përfshihen edhe sistemet për mbrojtje ajrore.
Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, u tha gazetarëve se humbjet e Ukrainës po arrijnë në nivele “katastrofale”. Sipas tij, Ukraina po humb dhjetë herë më shumë ushtarë se Rusia, duke këmbëngulur se kundërsulmi ukrainas deri më tani ka qenë i pasuksesshëm.
Megjithatë, autoritetet ukrainase kanë raportuar për përparime në terren deri në një kilometër.
