Shkon në 11 numri i të vrarëve nga sulmi rus në vendlindjen e Zelenskyt - NACIONALE

Shkon në 11 numri i të vrarëve nga sulmi rus në vendlindjen e Zelenskyt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka shkuar në 11 numri i të vdekurve nga një sulm rus me raketa në një bllok banesor dhe në një depo në vendlindjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zyrtarët thanë se të paktën katër persona u vranë në ndërtesën banesore dhe shtatë të tjerë në depo. Raportohet për të paktën 28 të lënduar, raporton agjencia “Reuters”.

Të mbijetuarit përshkruan dy shpërthime. Olha Chernousova tha se ajo u hodh nga shtrati nga një valë e dhunshme shpërthimesh. Ajo doli në ballkon dhe i priti punëtorët e shpëtimit. Të paktën pesë vetura u shkatërruan.

“Vrasësit rusë e vazhdojnë luftën e tyre kundër ndërtesave të banimit, qyteteve dhe njerëzve të rëndomtë”- shkroi presidenti ukrainas në rrjetin “Telegram”.

Gjatë orëve të hershme të së martës, sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë vendin. Zyrtarët ushtarakë të Kievit thanë se forcat e mbrojtjes ajrore i kanë shkatërruar të gjitha raketat ruse që ishin hedhur drejt kryeqytetit.

Komanda më e lartë ushtarake tha se forcat ajrore shkatërruan 10 nga 14 raketat me vetëdrejtim që Rusia i kishte hedhur drejt Ukrainës dhe njërin nga katër dronët e prodhimit iranianë.

Një javë pas dhënies së informatave të pakta për sulmin e saj, Ukraina tha të hënën se kishte rimarrë shtatë vendbanime deri më tani. Zëvendësminsitrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, tha se trupat ukrainase kanë përparuar për deri në 6,5 kilometra.

Lajme të ngjashme