Gjashtë të vdekur nga një sulm rus në qendër të Ukrainës
Të paktën gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur nga një sulm i forcave ruse në qytetin Kryvyi Rih të Ukrainës.
Guvernatori rajonal fillimisht kishte raportuar për tri viktimat dhe, përpos të vdekurve, 25 persona të tjerë, sipas tij, kanë pësuar lëndime, raporton televizioni BBC.
Zyrtari i quajtur Serhiy Lisak tha se një ndërtesë 5-katëshe ishte ende e përfshirë nga zjarri dhe se ndoshta ka edhe njerëz të tjerë të ngujuar nën rrënoja.
Ai publikoi një fotografi të një blloku banesor 5-katësh me të gjitha dritaret e thyera dhe me tym që dilte nga ndërtesa.
Agjencia "Reuters" e citoi kryetarin e qytetin më vonë për të raportuar se numri i të vdekurve ka shkuar në gjashtë.
Gjatë orëve të hershme të së martës, sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë Ukrainën. Zyrtarët ushtarak të Kievit thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore i shkatërruan të gjitha raketat ruse që ishin nisur drejt kryeqytetit.
Komanda më e lartë ushtarake e Ukrainës tha se dhjetë nga 14 raketat ruse me vetëdrejtim, që ishin hedhur rejt vendit, janë shkatërruar, si dhe njëri nga katër dronët e prodhimit iranian.
Kryetari i Kharkivit tha se dronët rusë e goditën infrastrukturën civile atje, duke goditur një depo dhe një ndërtesë tjetër. Nuk pati informata të menjëhershme për pasoja në njerëz.
