Tre mënyra se si lufta Ukrainë - Rusi mund të përshkallëzohet dhe të tërheqë edhe NATO-n
Ministrat e NATO-s janë takuar në Bruksel javën e kaluar për të diskutuar se deri ku mund të shkojnë me dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë.
Sfida për NATO-n gjatë gjithë kësaj lufte ka qenë se si t'i jepte aleatit të saj Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake për t'u mbrojtur pa u përfshirë në konflikt dhe pa u gjetur në luftë me Rusinë.
Qeveria ukrainase ka qenë e qartë në thirrjet e saj për ndihmë.
Nëse do të ketë ndonjë shans për të shmangur sulmin e ardhshëm rus në rajonin e Donbasit në lindje të vendit, thotë qeveria në një deklaratë, atëherë ka nevojë urgjente për një furnizim me Javelin nga Perëndimit, NLAW (armë e lehtë antitank e gjeneratës së ardhshme), raketat antitanke dhe anti-ajrore Stinger dhe Starstreak që forcat e saj i kanë përdorur tashmë për një efekt të tillë në këtë luftë.
Këto armë po i shkojnë, por Ukraina dëshiron më shumë.
Ajo kërkon tanke, avionë luftarakë, drone dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore raketore për të kundërshtuar përdorimin në rritje të Rusisë të sulmeve ajrore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme po i varfërojnë rezervat strategjike të Ukrainës me karburant dhe sende të tjera thelbësore.
Pra, çfarë saktësisht po e pengon NATO-n?
Përgjigja është përshkallëzimi.
Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore taktike (dmth. me rreze të shkurtër) nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë evropiane është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë dhe këtu rreziku është jashtëzakonisht i lartë.
Çfarë ka dhënë Perëndimi deri më tani
Mbi 30 vende kanë ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë 1 miliardë euro (800 milion paund) nga BE-ja dhe 1.7 miliardë dollarë (1.3 miliardë paund) nga SHBA-ja.
Furnizimet deri më tani janë të kufizuara në armë, municione dhe pajisje mbrojtëse si sistemet e raketave antitank dhe kundërajrore. Ato përfshijnë Javelins të cilat janë armë kundër tankeve të mbajtura në shpatull nga një ushtar, dhe Stingers, të cilat janë armë kundërajrore të lëvizshme nga njeriu, të përdorura më së shumti në Afganistan kundër avionëve sovjetikë.
Starstreak është një sistem portativ i mbrojtjes ajrore i prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Anëtarët e NATO-s kanë frikë se furnizimi me pajisje më të rënda sulmuese si tanke dhe avionë luftarakë mund të çojë në konflikt të hapur të drejtpërdrejtë me Rusinë, por kjo nuk i ka penguar çekët të japin tanke T72
Presidenti Putin i kujtoi botës që herët në këtë luftë se Rusia është një fuqi e armëve bërthamore.
Doktrina ushtarake ruse lejon përdorimin e hershëm të kokave bërthamore taktike me rendiment të ulët në fushën e betejës, duke e ditur se Perëndimi ka një neveri për armët bërthamore që nuk janë përdorur për 77 vjet.
Planifikuesit strategjikë të NATO-s shqetësohen se sapo të thyhet tabuja bërthamore, edhe nëse dëmi kufizohet në një objektiv të lokalizuar në fushën e betejës ukrainase, atëherë rreziku i përshkallëzimit në një shkëmbim bërthamor katastrofik midis Rusisë dhe Perëndimit rritet në mënyrë të pashmangshme.
E megjithatë, me çdo mizori të kryer në dukje nga ushtarët rusë, vendosmëria e NATO-s ngurtësohet dhe frenimet e saj shkrihen. Republika Çeke ka dërguar tashmë tanke, T72 të vjetëruara të epokës sovjetike, por ata janë vendi i parë i NATO-s që e bën këtë. Sllovakia po dërgon sistemet e saj raketore të mbrojtjes ajrore S300. Të dyja lëvizjet e tilla do të dukeshin tepër të rrezikshme kur të fillonte kjo luftë.
Deputeti Tobias Ellwood, i cili kryeson Komitetin e Mbrojtjes së Parlamentit anglez, është një nga ata që beson se Putin po bën bllof kur ngre spektrin e armëve bërthamore dhe se NATO duhet të bëjë më shumë.
"Ne kemi qenë tepër të kujdesshëm në sistemet e armëve që i kemi ofruar Ukrainës", thotë ai. "Ne kemi nevojë për një qëndrim më të fortë. Ne po u japim ukrainasve mjaftueshëm për të mbijetuar, por jo për të fituar dhe kjo duhet të ndryshojë".
Pra, si mund të përshkallëzohej saktësisht kjo luftë Ukrainë-Rusi në një konflikt më të gjerë pan-evropian që zvarritet në NATO?
Ka një sërë skenarësh të mundshëm që padyshim do të pushtojnë mendjet në ministritë perëndimore të mbrojtjes.
Këtu janë vetëm tre prej tyre:
1. Një raketë kundër anijeve e dhuruar nga NATO, e lëshuar nga forcat ukrainase në Odesa godet dhe fundos një anije luftarake ruse në det të hapur në Detin e Zi me humbjen e afro 100 marinarëve. Një numër i vdekjeve të kësaj përmasash në një goditje të vetme do të ishte i paprecedentë dhe Putini do të ishte nën presion për t'u përgjigjur në një formë.
2. Një sulm raketor strategjik rus synon një kolonë furnizimi me pajisje ushtarake që kalon nga një vend i NATO-s, si Polonia ose Sllovakia, në Ukrainë. Nëse do të kishte viktima në anën e kufirit të NATO-s, kjo potencialisht mund të prekte nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, duke e sjellë të gjithë aleancën në mbrojtjen e vendit të sulmuar.
3. Mes luftimeve të ashpra në Donbas ndodh një shpërthim në një objekt industrial që rezulton në lëshimin e gazeve kimike toksike. Ndërsa kjo tashmë ka ndodhur, nuk ka pasur asnjë vdekje të raportuar. Por nëse do të rezultonte në llojin e viktimave masive që shihen në përdorimin e gazit helmues nga Siria në Ghouta dhe nëse zbulohej se ishte shkaktuar qëllimisht nga forcat ruse, atëherë NATO do të ishte e detyruar të përgjigjej.
Është krejtësisht e mundur që asnjë nga këta skenarë të mos realizohet.
Por ndërkohë që kombet perëndimore kanë shfaqur një shkallë të rrallë uniteti në forcën e reagimit të tyre ndaj pushtimit të Rusisë, ka sugjerime se ata thjesht po reagojnë dhe nuk po mendojnë se si duhet të jetë fundi i lojës.
"Pyetja strategjike më e madhe", thotë një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Britanisë, i cili kërkon të mos përmendet emri, "është nëse qeveria jonë është e angazhuar në menaxhimin e krizave apo strategjinë aktuale". Kjo do të kërkonte ta mendosh këtë deri në fund, shton ai.
"Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë këtu është t'i japim Ukrainës çdo ndihmë që mundemi, përveç Luftës së Tretë Botërore. Problemi është se Putini është një lojtar pokeri më i mirë se ne". /Nacionale/