Trazirat në Brazil, urdhërohen arrestime për zyrtarët e lartë
Pasi rebelët kanë sulmuar ndërtesat kryesore qeveritare në kryeqytetin brazilian, Brasilia, autoritetet gjyqësore të vendit kanë urdhëruar arrestimin e zyrtarëve të lartë publikë.
Sipas mediave lokale, deri më tani është arrestuar një zyrtar, ish-komandanti i policisë ushtarake. Ndërsa, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të vendit, kërkohet arrestimi edhe i ish-shefit të sigurisë publike të Brasilia-s, Anderson Torres si dhe zyrtarëve të tjerë "përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet" që çuan në trazira.
Pasi mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro kanë sulmuar Kongresin, pallatin presidencial si dhe Gjykatën e Lartë, bëhet e ditur se është shkarkuar nga detyra edhe koloneli Fábio Augusto, komandant i policisë.
Kujtojmë se trazirat në Brazil erdhën një javë pas betimit të presidentit të ri të vendit, Luiz Inacio Lula da Silva, i njohur si Lula.
Protestuesit janë mbështetës të fortë të Bolsonaros, disa prej të cilëve kanë qëndruar jashtë një selie ushtarake në Brasilia që kur Bolsonaro humbi zgjedhjet presidenciale të 30 tetorit dhe hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve. Ata kanë kërkuar ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar presidentin e sapo zgjedhur Luiz Inacio Lula da Silva, duke pretenduar se ai është një hajdut që do ta çojë vendin në komunizëm.
Në skenat dramatike në vend janë parë mijëra protestues, disa të veshur me fanella të verdha të futbollit të Brazilit të cilët duke valëvitur flamuj, pushtuan policinë dhe sulmuan zemrën e shtetit brazilian.
