Tragjikomedi: India u bën thirrje indianëve që të kenë kujdes të lartë në Kanada - NACIONALE

Tragjikomedi: India u bën thirrje indianëve që të kenë kujdes të lartë në Kanada

2 vjet më parë

nga NACIONALE

India ka publikuar një udhëzim me të cilin u bën thirrje shtetasve të saj që udhëtojnë ose që jetojnë në Kanada që të “ushtrojnë kujdes të lartë”.

Ky udhëzim vjen një ditë pas eskalimit të tensioneve mes dy vendeve, të cilat i dëbuan njëra-tjetrës nga një diplomat, raporton televizioni BBC.

Kanadaja ka thënë se është duke hetuar “dyshime të besueshme” që e lidhin shtetin indian me vrasjen e një udhëheqësi të komunitetit Sikh. India e ka mohuar fuqishëm këtë akuzë, duke e quajtur absurde.

Analistët thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve, që kanë qenë të tensionuara me muaj të tërë, tashmë janë në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Të mërkurën, Ministria e Jashtme e Indisë tha se po e lëshon udhëzimin “si rezultat i shtimit të aktiviteteve kundër Indisë dhe krimeve të urrejtjes të lejuara politikisht dhe dhunës kriminale në Kanada”.

Kanadaja e ka numrin më të lartë të pjesëtarëve të komunitetit Sikh jashtë shtetit indian të Punjabit dhe në shtetin e madh të Amerikës Veriore janë mbajtur disa protesta pro lëvizjes së Khalistanit.

Në deklaratën e së mërkurës, India tha se rishtazi, kërcënimet u janë drejtuar diplomatëve të saj dhe disa indianëve “që e kundërshtojnë agjendën kundër Indisë”.

“Shtetasit indian, prandaj, këshillohen që ta shmangin udhëtimin në rajonet dhe zonat e mundshme në Kanada ku janë shënuar incidente të tilla”- thuhet në deklaratë.

Deklarata e autoriteteve indiane erdhi disa orë pas publikimit të një udhëzimi të ngjashëm nga Kanadaja për shtetasit e saj që udhëtojnë për në Indi.

Lajme të ngjashme