“Top diplomat” për disa, “kriminel lufte” për ca të tjerë – kush ishte Henry Kissinger?
Përkrahësit e Kissingerit e çmojnë pragmatizmin e tij që e kishte vënë themelin e mënyrës së ndërveprimit të administratës së Niksonit me aleatë e armiq, ndërsa kritikuesit e tij argumentojnë se demokracia e të drejtat e njeriut ishin, shumë shpesh, viktima të doktrinës së tij.
Henry Kissinger ishte burrështetas për t’u mbajtur mend – akademik e figurë e famshme që dikur kishte treguar se si ishte i aftë për të “bërë gjëra” për disa presidentë.
Sidoqoftë, përderisa gjërat që ai i bëri ia dhuruan titullin “top diplomat” për disa, ca të tjerë për të e zgjodhën përshkrimin “kriminel lufte”.
Si kryearkitekt i politikës së jashtme amerikane gjatë pushtetit të presidentit Nikson, Kissinger ndërtoi një marrëdhënie me botën të mbështetur në vetë interesat amerikane dhe, duke bërë kështu, formoi trashëgimi që e përçau opinionin.
Përkrahësit e çmojnë “politikën reale”, pragmatizëm që e ndërtoi themelin për ndërveprimin e administratës së Niksonit me aleatë e armiq.
Angazhimi proaktiv i Kissingerit me Kinën dhe zanati diplomatik në punët me Bashkimin Sovjetik – dialogu, ulja e tensioneve dhe kontrolli i armëve bërthamore – cilësohen si merita për riformësimin e rrjedhës së Luftës së Ftohtë.
Diplomacia ndërmjetësuese e tij gjatë luftës arabo-izraelite më 1973 kishte ndihmuar për ta frenuar konfliktin dhe, po në atë vit, ai u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij rreth përfundimit të përfshirjes amerikane në Luftën e Vietnamit.
Megjithatë, kritikuesit argumentojnë se rruga diplomatike sistematike për çuarjen përpara të interesave amerikane ishte vendosur shumë lart në listën e prioriteteve për fitore strategjike – saqë demokracia dhe të drejtat e njeriut ishin, shumë shpesh, viktima të doktrinës së Kissingerit.
Ata e përmendin konfliktin e Vietnamit si rast, duke argumentuar se marrëveshja që ai e kishte arritur për tërheqjen e ShBA-së do të mund të arrihej vite më parë, duke ua shpëtuar jetën mijëra njerëzve.
Kissingeri akuzohet për autorizimin e bombardimit të plotë të Kamboxhias gjatë konfliktit dhe për përkrahje të gjenocidit të Pakistanit në Bangladesh më 1971, sepse Pakistani i kishte dhënë përkrahje diplomatike ShBA-së për Kinën.
Ish-kryediplomati ishte i implikuar në rrëzimin e një qeverie socialiste të zgjedhur në mënyrë të ligjshme në Kili dhe ishte i përfshirë në puçin e vitit 1974, përmes të cilit ishte rrëzuar qeveria në Qipro.
Është një e kaluar që nuk lexohet lehtë.
“Tregimi i tij i pazakonshëm ishte aq unik – dhe aq plotësisht amerikan”- tha familja Nikson në një deklaratë për vdekjen e Kissingerit.
Kjo është pa dyshim e vërtetë për një të ri, i lindur me emrin Heinz Alfred Kissinger, i cili kishte ikur nga Gjermania naziste për në Nju-Jork më 1938 dhe ishte ngritur, në fund, në pozitën e lartë.
Ai është imigranti të cilit Amerika i dha një jetë dhe, me të, ai ia dha botës Amerikën.
Për të mirë e për të keq.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

