Thuhet se ShBA-ja është pajtuar me planin izraelit në Rafah që të mos kryhet sulm i madh ndaj Iranit - NACIONALE

Thuhet se ShBA-ja është pajtuar me planin izraelit në Rafah që të mos kryhet sulm i madh ndaj Iranit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Disa zyrtarë egjiptianë i kanë thënë një gazete të Katarit se Shtetet e Bashkuara e kanë pranuar planin e Izraelit për një operacion ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, me kusht që ky shtet të mos kryejë një sulm të madh ndaj Iranit si kundërpërgjigje ndaj sulmit të pashembullt iranian me raketa e dronë.

“Administrata amerikane shfaqi pranim të planit të paraqitur më parë nga qeveria e pushtimit [Izraeli] në lidhje me operacionin ushtarak në Rafah, në këmbim që të mos kryehet një sulm i nivelit të lartë kundër Iranit” – i tha një zyrtar i paidentifikuar gazetës “Al-Araby Al-Jadeed”, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtarët egjiptianë i thanë kësaj gazete se janë duke u zhvilluar përgatitje në mënyrë që Egjipti të mund të ballafaqohet me ndonjë ndikim të mundshëm të operacionit të planifikuar izraelit në Rafah.

Besohet se katër batalione të Hamasit ndodhen në Rafah, bashkë me mbi një milion civilë që po strehohen atje, pasi kanë ikur nga luftimet në pjesë të tjera të Rripit të Gazës.

Për më tepër, besohet se në Rafah po fshihen edhe udhëheqës të Hamasit e me gjasë edhe pengje izraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, disa herë ka thënë se i ka miratuar planet për operacionin në Rafah dhe rishtazi ka thënë se madje për nisjen e tij është caktuar edhe data.

Më parë, Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Izraelin kundër një operacioni të tillë për shkak të numrit të madh të civilëve në Rafah dhe rrezikut për të shkaktuar shumë viktima civile.

Lajme të ngjashme