Thuhet se sateliti i ri evropian do t’i parashikojë më mirë stuhitë e ashpra - NACIONALE

Thuhet se sateliti i ri evropian do t’i parashikojë më mirë stuhitë e ashpra

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një satelit i ri evropian do të lëshohet të martën. Thuhet se ai do ta fuqizojë shumë parashikimin e stuhive të ashpra e të papritura në mënyrë që njerëzit të përgatiten më mirë për to.

Sateliti për parashikimin e motit, “Meteosat-12”, do të ngrihet në qiell përmes një rakete të tipit “Ariane” për t’i vëzhguar kontinentin evropian, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta Nacionale.

Ky satelit do ta zëvendësojë teknologjinë që është më e vjetër se 20 vjet dhe e paraqet lëshimin më të rëndësishëm hapësinor të Evropës për këtë vit.

“Shikojeni stuhinë që i preku Gjermaninë, Holandën dhe Belgjikën vitin e kaluar, ku mbi 200 njerëz e humbën jetën e tyre. Këto ngjarje janë tragjike”- tha Phil Evans, drejtor i përgjithshëm i Eumetsat-it, organizatë ndërqeveritare që i menaxhon satelitët evropianë për parashikimin e motit.

“Vëzhgimet më të sakta, më të shpeshta dhe më përkatëse nga hapësira janë absolutisht thelbësore për të ofruar parashikime dhe paralajmërime më të mira që na ndihmojnë për ta pakësuar dhe penguar ndikimin e këtyre ngjarjeve të ashpra të motit”- shtoi ai.

Evropa e ka pasur satelitin e vet të motit në hapësirë që nga viti 1977. Sateliti i ri, që do të ngrihet në qiell të martën, është gjenerata e tretë e këtij vargu.

Sateliti “Meteosat-12” do të dërgojë një pasqyrë të plotë të motit çdo 10 minuta, pesë minuta më shpejt se sateliti i tanishëm. Me këtë satelit do të mund të vëzhgohen edhe dukuritë e vogla në atmosferë.

Agjencitë shtetërore për parashikimin e motit, si Zyra e Meteorologjisë e Mbretërisë së Bashkuar dhe “Meteo France”, do të pranojnë shumë më shumë të dhëna për t’i bërë pastaj parashikimet e tyre.

Njëra nga risitë kryesore është përfshirja e një kamere për ta vërejtur rrufenë.

Sateliti “Meteosat-12” pritet të lëshohet nga porti hapësinor i Evropës në Guajanën Franceze në orën 17:30 sipas kohës lokale.

Lajme të ngjashme