Thellohet skandali i ushtrisë izraelite: Pengjet që u vranë kishin ngritur shkop me rrobë të bardhë
Tri pengjet izraelite, që u vranë gabimisht në Gaza nga forcat izraelite, ishin duke mbajtur lart një shkop me një rrobë të bardhë të varur në të, sipas një hetimi fillestar të incidentit, tha të shtunën një oficer ushtarak.
Incidenti ndodhi në një zonë të luftimeve intensive, ku militantët e Hamasit operojnë në rroba civile dhe përdorin taktika mashtruese, shtoi oficeri.
Megjithatë, ai tha se në drejtim të pengjeve u hap zjarr kundër rregullave izraelite të veprimit, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtari ushtarak shtoi se njëri nga ushtarët i kishte parë pengjet duke dalë nga një ndërtesë pa këmisha në trup, duke mbajtur një shkop me rrobë të bardhë në të.
Ushtarët ishin ndier të kërcënuar dhe kishin hapur zjarr, duke deklaruar se burrat ishin terroristë, shtoi zyrtari i ushtrisë izraelite.
Dy pengje ishin vrarë menjëherë, ndërsa një tjetër ishte plagosur e kishte hyrë prapë në ndërtesë, raporton televizioni BBC.
Ushtarët pastaj kishin dëgjuar një thirrje për ndihmë në gjuhën hebraike “dhe menjëherë komandanti i batalionit kishte dhënë urdhër për armëpushim”, shtoi zyrtari.
“Do ta them shumë, shumë qartë. Kjo është kundër rregullave tona të veprimit. E përsëris, ishte kundër rregullave tona të veprimit”- tha zyrtari ushtarak i Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
Ai e përshkroi vrasjen e tri pengjeve si “shumë tragjike” dhe shtoi se një hetim preliminar është duke u zhvilluar “në nivelin më të lartë”.
“Të gjitha rregullat e veprimit janë duke u dërguar përsëri të gjitha forcave”- shtoi zyrtari.