“The Times”: Udhëheqësve të Hamasit në Katar u kërkohet t’i dorëzojnë armët personale
Udhëheqësve të lartë të Hamasit në Doha të Katarit u është kërkuar që t’i dorëzojnë armët e tyre personale si pjesë e një përpjekjeje të udhëhequr nga ShBA-ja për të arritur marrëveshje armëpushimi me Izraelin dhe për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, raporton gazeta “The Times”.
Hamasi tha të mërkurën se ishte duke analizuar një ofertë të re për armëpushim, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Izraeli tashmë ishte pajtuar për ndërprerje 60-ditore të armiqësive dhe lirim të mundshëm të pengjeve gjatë kohës kur dy palët do të diskutonin për ndërprerje të përhershme të mundshme të luftimeve.
“Ne jemi duke mbajtur diskutime për të arritur një marrëveshje që do ta sigurojë fundin e agresioneve, tërheqjen e forcave dhe dhurimin e ndihmave për njerëzit e Gazës” – thuhet në një deklaratë të Hamasit.
Udhëheqësit më të lartë të Hamasit jashtë Gazës, përfshirë kryenegociatorin Khalil al-Hayya e figura të tjera kyçe, janë udhëzuar nga ndërmjetësit nga Katari që t’i dorëzojnë armët e tyre personale, ka marrë vesh gazeta britanike.
Në mesin e atyre që u është thënë t’i dorëzojnë armët janë anëtarët e byrosë politike të Hamasit, Zaher Jabareen, themelues i krahut ushtarak të Hamasit në Bregun Perëndimor, dhe Muhammad Ismail Darwish, i cili këtë vit u takua me udhëheqësit e Turqisë dhe Iranit dhe ka lëvizur mes Kajros e Dohas për bisedime të tërthorta me Izraelin.