The Telegraph: Britania do t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes për më shumë se 1 miliard funte
Gazeta britanike, “The Telegraph”, ka raportuar se Mbretëria e Bashkuar do t’i rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes për më shumë se 1 miliard funte gjatë dy viteve të ardhshme.
Ministri i Financave, Jeremy Hunt, pritet që të njoftojë për këtë rritje në pranverë, sipas kësaj gazete.
“The Telegraph” tha se ekspertët ushtarakë vlerësojnë që buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes më 2024/25 duhet të shkojë nga 48,6 në 50,1 miliardë funte për ta shmangur zvogëlimin e vlerës reale, sepse inflacioni mbetet në nivelin prej mbi 10 për qind, përcjell Nacionale.
Ministri Hunt ka thënë se qeveria e njeh nevojën për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe konfirmoi se ky institucion do ta mbajë buxhetin të paktën në nivelin e 2-përqindëshit të prodhimit vendës bruto në linjë me zotimet ndaj aleancës së NATO-s.
“Ne kemi njërin nga buxhetet më të mëdha të mbrojtjes në Evropë dhe më 2020 e njoftuam rritjen më të madhe të shpenzimeve të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë” – i tha agjencisë “Reuters” një zëdhënës qeveritar.