“The New York Times” thotë se Izraeli ka shkatërruar varreza në Gaza: Mund të jetë krim lufte - NACIONALE

“The New York Times” thotë se Izraeli ka shkatërruar varreza në Gaza: Mund të jetë krim lufte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat tokësore izraelite kanë dëmtuar ose shkatërruar të paktën gjashtë varreza gjatë avancimit të tyre në pjesën veriore të Rripit të Gazës, shumicën në javët e fundit, sipas një analize të pamjeve të reja satelitore dhe videove nga gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”.

Në lagjen Shajaiye të qytetit Gaza, ku ditëve të fundit u zhvilluan luftime të ashpra, forcat izraelite shkatërruan një pjesë të varrezës tuniziane për të ndërtuar një pozicion të përkohshëm ushtarak. Në një fotografi satelitore të shkrepur të dielën shihen automjete të blinduara dhe fortifikata prej dheu mbi ato që para disa ditëve ishin varre të paprekura, raporton gazeta amerikane.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetës për arsyet e rrafshimit të varrezës dhe nëse ka marrë ndonjë masë paraprake për t’i mbrojtur objektet fetare në Gaza. Në ligjet e konflikteve të armatosura, shkatërrimi i qëllimshëm i objekteve fetare pa nevojë ushtarake konsiderohet krim lufte i mundshëm.

Shumë prej dëmeve u shkaktuan këtë muaj, përderisa forcat izraelite avancuan drejt atyre për të cilat zyrtarët izraelitë besojnë se janë bastionet e mbetura të Hamasit në zonat me popullsi të dendur të qytetit Gaza. Duket se Izraeli është duke shfrytëzuar të paktën një varrezë si bazë të përkohshme për automjete ushtarake.

Automjetet ushtarake izraelite shkatërruan dhjetëra varre në një varrezë më të vogël në fillim të dhjetorit, pranë një pozicioni ekzistues izraelit, rreth 800 metra në veriperëndim të varrezës tuniziane. Në një video të publikuar nga ushtria izraelite të dielën shihen ushtarë që duken të përfshirë në luftime në atë zonë.

Në të njëjtën ditë, në lagjen Jabaliya të qytetit Gaza, pamjet satelitore shfaqin kamionë të rinj e automjete të mundshme ushtarake në varrezën “Al-Faluja”. Më vonë, në video shihen dëme ndaj varreve, por jo edhe pozicione të ndërtuara ushtarake.

Një pozicion i mundshëm ushtarak u ndërtua në një varrezë në Beit Hanoun, gjithashtu në veri të Gazës.

Varrezat e tjera të identifikuara nga gazeta si të shkatërruara nga forcat izraelite ishin në Sheik Ijlin, lagje e qytetit Gaza, dhe në Beit Lahia, qytet në skajin verior të Gazës.

Lajme të ngjashme