“The Guardian”: Pas rezultatit të zgjedhjeve, kriza ekonomike në Turqi pritet të përkeqësohet - NACIONALE

“The Guardian”: Pas rezultatit të zgjedhjeve, kriza ekonomike në Turqi pritet të përkeqësohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Analistët presin që kriza ekonomike në Turqi të përkeqësohet, pasi presidenti Rexhep Erdogan doli i pari në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe partia e tij e mori shumicën e ulëseve në zgjedhjet parlamentare.

Lira turke, vlera e të cilës ka rënë vazhdimisht viteve të fundit, përfshirë përgjysmimin e saj vetëm brenda një viti, ra afër nivelit të ulët historik, përderisa tregjet u hapën në mëngjesin pas zgjedhjeve të së dielës, raporton gazeta “The Guardian”.

Shqetësimi i gjerë për krizën e kostos së jetesës nuk e largoi përkrahjen nga Erdogani në zgjedhje, edhe pse politikat e tij të pazakonshme ekonomike, përfshirë refuzimin e rritjes së shkallës së interesit për një kohë të gjatë, kanë kontribuuar në rritjen e inflacionit dhe të kostos së ushqimit dhe mallrave të tjera elementare.

“Shpresa për një fitore të opozitës dhe një kthim në politikëbërje të zakonshme është avulluar. Në vend të këtyre, tani ka rrezik shumë real që fitorja e Erdoganit të mund të çojë në jostabilitet makroekonomik në Turqi, përfshirë rrezikun për një krizë të rëndë të valutës dhe tendosje në sektorin bankar e në pozicionet e borxhit sovran më tej poshtë vijës”- tha Liam Peach nga “Capital Economics”.

Turqia është ekonomia e 19-të më e madhe në botë, sipas Bankës Botërore. Kjo bankë ka vërejtur se kriza ekonomike turke gjatë pesë viteve të kaluara është shoqëruar me përpjekje për ta mbështetur rritjen ekonomike “me gjallërime ekonomike e nxitje për kërkesën”. Ekonomistët e “Bloomberg”-ut vlerësojnë se Banka Qendrore e Turqisë ka shpenzuar mbi 177 miliardë dollarë për ta përkrahur lirën që nga dhjetori i vitit 2021.

Grupi Hulumtues Turk i Inflacionit, i cili e mat inflacionin në shportën e mallrave dhe shërbimeve, regjistroi rritje çmimesh prej 105,19 për qind muajin e kaluar në krahasim me vitin e kaluar, duke shtuar se çmimet janë rritur për gati një të tretën në krahasim me fillimin e këtij viti.

Agjencia amerikane për shkallëzimin e kredive, “Fitch Ratings”, e përmendi tkurrjen e rezervave të jashtme të Turqisë, të shkaktuara nga përpjekjet për ta stabilizuar lirën, duke parashikuar vështirësi për qeverinë e ardhshme.

“Pavarësisht se kush fiton, qeveria e ardhshme prapë do të ballafaqohet me një sfodn sfidues ekonomik, i karakterizuar nga kërkesa e pashprehur për këmbim të jashtëm dhe presioni ndaj lirës, një deficit i tanishëm i gjerë, rënia e rezervave ndërkombëtare dhe inflacioni i lartë”- tha kjo agjenci.

Lajme të ngjashme