The Forbes: Ursula von der Leyen, gruaja më e fuqishme në botë për vitin 2022 - NACIONALE

The Forbes: Ursula von der Leyen, gruaja më e fuqishme në botë për vitin 2022

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa vitin e kaluar Ursula von der Leyen, zinte vendin e tetë në listën e Forbes për gratë më të fuqishme në botë, këtë vit asaj i është dhënë vendi i parë, si rezultat i mbështetjes së saj të fortë dhe vendimtare për Ukrainën, si dhe për përballjen me pandeminë në Evropë.

Ndikimi i saj është unik, asnjë grua tjetër, në renditje, nuk ka udhëhequr një politikë në emër të 450 milionë njerzve”, shkruhet në revistën amerikane.

Kujtojmë se, mbështetja e von der Leyen për Ukrainën ishte e shpejtë dhe e gjerë. Vetëm një javë pasi Putini nisi raketa drejt Kievit, von der Leyen u zotua të ndalonte transaksionet nga banka qendrore e Rusisë, të mbyllte qiejt e Evropës për avionët rusë dhe të ndalonte agjencitë e lajmeve në pronësi të Kremlinit. Në prill, ajo u bë zyrtarja më e lartë e BE-së që ka vizituar Ukrainën dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelensky.

Më pas, në muajin maj ajo vendosi edhe një raund të ri më të ashpër të sanksioneve kundër Rusisë, duke u kërkuar liderëve evropianë të bien dakord për një "ndalim të plotë" të naftës së papërpunuar ruse. Ndërsa, deri në muajin qershor, von der Leyen arriti të shpallë një masë të re për shkurtimin e 90% të importeve të naftës ruse nga BE.

Pas presidents së KE-së, në listë të Forbes janë renditur, presidentja e BQE-së Christine Lagarde në vendin e dytë, zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris në vendin e tretë dhe në vendin e katërt, CEO e “General Motors”, Mary Barra.

Në vendin e shtatë është vendosur kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ndërsa në fund të listës ndodhet edhe 22-vjeçarja iraniane, Mahsa Amini, vdekja e së cilës në paraburgim shkaktoi protesta të mëdha në Iran që janë ende duke vazhduar.

Lajme të ngjashme