Tërmet në Turqi
Një tërmet me fuqi prej 5,5 shkallësh e goditi provincën Adana të Turqisë në orën 8 e 44 minuta të mëngjesit të së martës sipas kohës lokale, sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave.
Thuhet se epiqendra e dridhjes ishte në distriktin Kozan, me thellësi prej 11,27 kilometrash, sipas këtij institucioni, raporton “Daily Sabah”.
Tërmeti u ndie në qendrën e qytetit dhe në distriktet përreth tij, duke shkaktuar panik. Qytetarët u panë duke dalë rrugëve.
Sipas raportimeve preliminare, nuk janë regjistruar pasoja në njerëz apo dëme materiale.
Tërmeti në Adana ndodhi pesë muaj e gjysmë pas dridhjeve shkatërruese në pjesën juglindore të Turqisë, të cilat shkaktuan të paktën 50 mijë viktima.
Pas tërmetit prej 5,5 shkallësh, ndodhën edhe tri dridhje më të dobëta, raportuan mediat lokale. Thuhet se tërmeti u ndie edhe në provincat Diyarbakir dhe Mersin.