Tensione në kufirin Izrael – Liban, raportohet për përleshje mes ushtrive - NACIONALE

Tensione në kufirin Izrael – Liban, raportohet për përleshje mes ushtrive

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria e Libanit tha se hodhi gaz lotsjellës në drejtim të forcave izraelite matanë kufirit të shtunën si kundërpërgjigje ndaj bombave të tymit që ishin hedhur në drejtim të ushtarëve të saj, edhe pse Izraeli tha se Libani e nisi ballafaqimin.

Tensionet në kufirin mes dy vendeve janë rritur gjatë verës, kur kishte hedhje të raketave në drejtim të Izraelit gjatë dhunës mes izraelitëve e palestinezëve, ndërsa anëtarët e grupit “Hezbollah” ose përkrahësit e tij janë ballafaquar me forcat izraelite, raporton agjencia “Reuters”.

“Elemente të armikut izraelit e shkelën vijën e tërheqjes dhe hodhën bomba tymi ndaj patrullës së ushtrisë libaneze që po shoqëronte një buldozer që po hiqte një rrip dheu të ngritur nga armiku izraelit në veri të vijës së tërheqjes, vija e kaltër, në zonën e Bastras”- thuhet në një deklaratë të ushtrisë libaneze.

Linja e tanishme e demarkacionit mes dy shteteve njihet si Vija e Kaltër, kufi i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara që e shënon vijën në të cilën forcat izraelite ishin tërhequr, kur ishin larguar nga Libani më 2000.

“Patrulla libaneze u kundërpërgjigj ndaj sulmit përmes hedhjes së bombave të gazit lotsjellës... duke i detyruar ata që të tërhiqen në territoret e pushtuara palestineze”- thuhet më tej në deklaratë.

Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se ishte Libani ai që e nisi dhunën.

“Pak më parë, ushtarët e FMI-së (Forcave Mbrojtëse të Izraelit) vërejtën një lopatë të automjetit të inxhinierisë duke e kaluar Vijën e Kaltër nga Libani në territor izraelit në zonën e Malit Dov. Si kundërpërgjigje, ushtarët e FMI-së përdorën mjete për shpërndarjen e rebelimeve. Automjeti u kthye në terror libanez”- thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

UNIFIL-i, forca paqeruajtësve e Kombeve të Bashkuara që e mbikëqyr zonën kufitare, tha se të shtunën atje kishte tensione.

“UNIFIL-i është në kontakt me palët për t’i ulur tensionet dhe për të parandaluar një keqkuptim. Për momentin, ne jemi në terren, duke e vëzhguar situatën dhe duke u munduar që ta kthejmë qetësinë në zonë”- tha zëdhënësi i forcës paqeruajtëse të OKB-së, Andrea Tenenti.

Lajme të ngjashme