Eskalojnë tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin e Libanit - NACIONALE

Eskalojnë tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin e Libanit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tensionet mes Izraelit dhe grupit militant libanez, “Hezbollah”, janë në nivelin më të lartë në disa vjet pas një vargu të incidenteve nxitëse në kufirin mes Libanit dhe Izraelit, që kontrollohet nga OKB-ja.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës së fundit shkatërruese të lëvizjes së mbështetur nga Irani me Izraelin, Hezbollahu duket se po provon taktika të reja në rajonin e brishtë kufitar për ta testuar vendosmërinë e Izraelit. Kërcënime të tilla nuk janë të panjohura, por denduria në rritje e përleshjeve kufitare po e shton mundësinë e llogaritjes së gabuar dhe eskalimit, raporton gazeta “The Guardian”.

Në qershor, Hezbollahu vendosi dy tenda të stilit ushtarak në jug të Vijës së Kaltër, që është vija e demarkacionit mes Izraelit, Libanit dhe Rrafshnaltës së Golanit, që është vendosur nga OKB-ja pas tërheqjes së Izraelit nga Libani në vitin 2000. Militantët pretenduan se zona ku u vendosën tendat është libaneze. Ky ishte një hap i vogël, por provokues dhe i pashembullt. Pas ndërhyrjes diplomatike, njëra u largua, por tjetra mbetet.

Muajin e kaluar, disa burra në anën libaneze të kufirit – disa me maska e rroba ushtarake ose duke e mbajtur flamurin e verdhë të Hezbollahut – iu afruan ose iu kapën pengesës që i ndan të dyja vendet në të paktën katër raste, në njërin rast duke shkatërruar një kamerë vëzhgimi të forcave izraelite, dhe në një tjetër, duke hedhur gurë e duke ndezur një zjarr.

“Muajve të fundit ka qenë intensive (situata). Ka gjithnjë më shumë incidente (në Vijën e Kaltër). Para gjashtë muajve, një patrullë ishte e mjaftueshme, tani na duhen katër patrulla dhe jemi në gjendje të lartë gatishmërie. Mundësia e veprimeve të dhunshme është më e lartë”- tha një zyrtar izraelit i sigurisë.

Unifil, misioni paqeruajtës i OKB-së që patrullon në Vijën e Kaltër, e ka quajtur situatën “tepër të ndjeshme”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin çfarëdo veprimi që mund të çojë në eskalim.

Protestat e mëdha në Izrael gjatë tetë muajve të fundit janë përkrahur edhe nga rezervistët ushtarakë. Megjithatë, ushtria izraelite ka këmbëngulur se ka aftësi për ta kontrolluar pakënaqësinë brenda rangjeve të saj, por përmes një deklarate pranoi se “nëse rezervistët nuk paraqiten për shërbim në rrafshin afatgjatë, do të ketë dëmtim të gatishmërisë ushtarake”.

Lajme të ngjashme