Televizioni irlandez: Irlanda, Spanja dhe disa shtete të tjera mund ta njohin Palestinën më 21 maj
Spanja, Irlanda dhe një numër i shteteve të tjera të Bashkimit Evropian janë duke e shqyrtuar njohjen e një shteti palestinez më 21 maj, sipas raportimit të transmetuesit publik irlandez, RTE.
Ky televizion tha të mërkurën në mbrëmje se kontaktet mes Dublinit dhe Madridit, dhe mes Sllovenisë e Maltës, janë intensifikuar drejt synimit që këto shtete në mënyrë të përbashkët ta njohin shtetësinë palestineze, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas raportit, këto shtete kanë qenë duke pritur një votim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 10 maj, që do të mund të çonte në njohjen e palestinezëve si të kualifikuar për t’u bërë anëtarë të plotë në OKB.
Përmes një deklarate të përbashkët publikuar më 22 mars, Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Malta thanë se ishin pajtuar për t’i bërë hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez.
Spanja dhe Irlanda për kohë të gjatë kanë qenë mbrojtëse të të drejtave të palestinezëve. Përpjekjet e reja vijnë në kohën e rritjes së numrit të viktimave nga ofensiva izraelite në Gaza, e cila ka nxitur thirrje globale për armëpushim dhe zgjidhje afatgjate për paqe në rajon.
Nga viti 1988, 139 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetësinë palestineze.
Izraeli ka thënë se plani i katër shteteve evropiane përbën “shpërblim për terrorizëm” që do t’i zvogëlonte gjasat për zgjidhje të negociuar për konfliktin e Gazës.