Teksasi goditet nga stuhia e vërshimet e rrezikshme, së paku një i vdekur - NACIONALE

Teksasi goditet nga stuhia e vërshimet e rrezikshme, së paku një i vdekur

1 orë më parë

nga NACIONALE

Të paktën një person ka vdekur gjatë operacioneve të shpëtimit në kohën kur pjesa qendrore e Teksasit po ballafaqohet me vërshime që e rrezikojnë jetën dhe ku janë regjistruar reshje shiu deri në 50 centimetra në disa zona – vetëm një vit pasi rajoni i njëjtë kishte pasur vërshime katastrofike që kishin lënë mbi 100 të vdekur.

Paralajmërime urgjente për vërshime u lëshuan të enjten për disa pjesë të distrikteve Kerr dhe Uvalde, ku ekipet emergjente kryen operacione shpëtimi, si dhe në zonat përreth lumenjve Guadalupe dhe Pedernales, sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Motit, raporton gazeta “The Guardian”.

Punëtorët e shpëtimit kanë tërhequr vozitës dhe njerëz të ngujuar në shtëpitë e tyre pas rritjes së shpejtë të nivelit të ujit gjatë natës.

“Kjo është situatë veçanërisht e rrezikshme. Kërkoni zona më të larta tani!” – thuhet në një përditësim të dhënash nga Shërbimi Kombëtar i Motit në San Antonio.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, të enjten në një konferencë për shtyp tha: “Ka pasur një humbje jete dhe kjo ndodhi gjatë natës.” Ai shtoi se mbi 70 njerëz janë shpëtuar.

Dronë e helikopterë po fluturojnë mbi rajonin që ende po e merrte veten nga vërshimet shkatërruese të para një viti, tha më tej guvernatori.

Paralajmërime për vërshime ishin në fuqi edhe në disa pjesë të distrikteve Kinney, Maverick dhe Zavala.

Lajme të ngjashme